Protestuan kundër mbylljes së club-ve, procedohen penalisht 12 persona

Policia ka proceduar penalisht 12 persona të identifikuar si organizatorët e protestës së djeshme (20 korrik), ku muzikantë, pronarë lokalesh e profesionistë tubuan para kryeminstrisë.

Ata kundërshtuan aktin normativ të qeverisë që ndalonhapjen e club-ve dhe diskove pas orës 20:00.

Policia njofton se para se të ndërhynte, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tij.

''Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 12 persona, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente'', thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 12 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".

Lexo edhe: Artistët dhe pronarët e club-ve në protestë para kryeministrisë, disa arrestohen nga policia