Toka 100 milionë euroshe në Karaburun, arrest me burg për 4 nga 6 zyrtarët

Katër nga gjashtë personat e akuzuar për falsifikimin e 220 ha truall në Karaburun, do të qëndrojnë në burg. Arrest me burg ka qenë masa e vlerësuar nga gjykata e Vlorës për Rajmond Mezin, Enkes Hysendhimën, Blerina Dhramin dhe shtetasin me iniciale P.P, i shpallur në kërkim. 

Për noteren Belona Seraj, gjykata dha masën arrest shtëpia, për shkak se ka fëmijë në moshë të vogël. Ndërkohë për pergjegjësen e arshivës në gjykatën e Vlorës, u dha masa detyrim paraqitje, për shkak të moshës mbi 60 vjec, ndërsa u vendos dhe pezullimi nga detyra. 

Një ditë më parë kryeprokurori Llalla i shoqëruar nga kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj ishte në Vlorë, ku u takua me prokurorë të qytetit bregdetar për cështjen tokës së sekuestruar në Shën Vasil me vlerë 100 milionë euro. 

Burime nga prokuroria bëjnë me dije se dyshohet se pas përvetësimit të tokës fshihet një grup i strukturura kriminal. Prokuroria e Vlorës nisi hetimin disa muaj më parë bazuar në kallëzimet e dy qytetarëve, që pretendojnë pronësinë në një pjesë të hapësirës 220 ha të sekuestruar me vlerë 100 milionë euro.

Në bazë të kërkesave të Prokurorisë, Gjykata vendosi: Masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasit: - Rajmond Mezi, në emër të të cilit është regjistruar prona - Enkes Hysendhima, avokat - Blerina Dhrami, ish-nëpunëse e Hipotekës, Vlorë - P.P. (shpallur në kërkim)  

Masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për: - Belona Seraj, notere (për shkak se ka fëmijë në moshë të vogël) Masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe “pezullim nga detyra” për: - Donika Besimaj, përgjegjëse e arshivës në Gjykatën e Vlorës (për shkak të moshës mbi 60 vjeç)

 Llalla: Pas përvetësimit të tokës dyshohet se fshihet një grup i strukturuar kriminal