Nis takimi Ashton-Thaçi: Do të arrihet marrëveshja
Zyra e Përfaqësueses së Lartë, sapo ka njoftuar se aktualisht Baronesha është duke u takuar me Kryeministrin Hashim Thaçi.Paraprakisht ajo ka takuar Kryeministrin serb Dacic. Pas përfundimit të takimit me Thaçin, pritet të fillojë takimi trepalësh Ashton - Thaçi- Dacic.Pak para se të hyjë në ndërtesën e BE'së ku po mbahen bisedimet Kosovë - Serbi, Kryeministri Hashim Thaçi ka bërë një deklaratë për media ku ka thënë se plani për implementimin e marrëveshjes së 19 Prillit, do të finalizohet."Jam optimist se marrëveshja do të arrihet, koha po ecën nuk kemi kohë për të humbur, kemi për të diskutuar edhe implementuar çështjet edhe kohore edhe të akterëve implementues", ka thënë Thaçi.Nisin takimet në Bruksel, Ashton kërkon rezultate Në Bruksel ka nisur takimi i shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, dhe delegacionin e tij.Takimi do të pasohet nga bisedime të ngjashme të baroneshës Ashton me delegacionin e Kosovës, i cili kryesohet nga kryeministri Hashim Thaçi.Të gjitha këto i paraprijnë takimit trepalësh Thaçi-Ashton-Daçiç, në të cilin për sot është paraparë të diskutohet plani i zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton duke komentuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se për BE-në janë të rëndësishëm aspektet që të vihet deri tek pika që të përmbushen kushtet nga konkluzat e dhjetorit.Ashton ka theksuar se tashmë ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës dhe atë të Serbisë për guxim dhe përkushtim, si dhe për punën e vështirë në arritjen e marrëveshjes, ndërsa kryeministri Thaçi ka shprehur besimin se do të arrihet një marrëveshje për këtë dhe se nuk ka kthim prapa përveç zbatimit të marrëveshjes.Kjo ka qenë marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por zbatimi i saj ka ngecur. Të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për dështimin.Në anën tjetër, zbatimi i saj është kyç, si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin, që të shënojnë përparime në procesin e integrimit evropian.