Zyrtarja amerikane e sigurisë: Terroristët lëvizin lirisht në Europë, rreziku i lartë
Këshilltarja e Presidentit Obama për sigurinë, Lisa Monaco, ka paralajmëruar autoritetet europiane duke thënë se numri i terroristëve që lëvizin lirisht në Europë është shumë i madh dhe se rreziku i sulmeve vijon të mbetet mjaft i lartë. Ajo shton se shumica e këtyre ekstremistëve kanë pasaporta perëndimore. Sipas zyrtares amerikane se mënyra më e mirë për t'iu përgjigjur kërcënimit terrorist është shkëmbimi sa më i shpejtë i informacioneve mes Agjensive Inteligjente.Gjatë një takimi të mbajtur në Bruksel me kryeministrin e Belgjikës Charles Michel, këshilltarja e Presidentit Obama për sigurinë, Lisa Monaco, ka paralajmëruar zyrtarët e Qeverisë belge se në bazë të informacioneve të marra nga shërbimet inteligjente, numri i terroristëve që lëvizin lirisht në Europë është shumë i madh dhe se rreziku i sulmeve vijon të mbetet mjaft i lartë.Zyrtarja amerikane nënvizoi se shumica e këtyre personave kanë pasaporta të shteteve perëndimore.Ajo tha se mënyra më e mirë për t'iu përgjigjur kërcënimit terrorist është shkëmbimi sa më i shpejtë i informacioneve mes Agjensive Inteligjente."Ka mijëra persona qe zotërojnë pasaporta perëndimore dhe që shkojnë dhe vijnë në Siri ose Irak. Mendoj se ky është një problem mjaft shqetësues pasi rreziku i një sulmi mbetet mjaft i lartë. Duke gjykuar nga eksperienca jonë e sulmeve të 11 shtatorit, këshillojmë që informacionet e vlefshme të shkëmbehen sa më shpejt mes agjensive inteligjente", ishin fjalët e saj.Rreziku i një sulmi të mundshëm terrorist është paralajmëruar më herët edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë përfshirë përfaqësuesit e shteteve europiane, drejtuesit e Europol, etj.Aktualisht, Qeveritë e vendeve të ndryshme kanë nisur që të forcojnë masat e sigurisë për të parandaluar çdo incident të mundshëm.Forcat e sigurisë në Francë kanë kryer edhe përgatitjet më të mëdha, pasi do të presin edhe Kampionatin Europian të Futbollit.