Emigrantët hapin biznese në kampet e qëndrimit

Në kushtet kur ndodhen të bllokuar prej muajsh në kufirin greko-maqedonas, emigrantët kanë nisur që të ngrenë biznese për të siguruar disa të ardhura minimale. Në kampin e Idomenit disa prej refugjatëve kanë nisur aktivitete të ndryshme përfshirë tregtimin e gatimeve të shpejta, kafeve si dhe produkteve të tjera ndërkohë që disa prej tyre ushtrojnë edhe profesionin e berberit. Zyrtarët e organizatave humanitare shprehen se kjo dukuri ka lindur që prej mbylljes së kufijve nga qeveria maqedonase.Emigrantët e bllokuar prej muajsh në kufirin greko-maqedonas kanë nisur të ngrenë biznese për të mbijetuar. Në kushte mjaft të vështira, ata kanë gjykuar se kjo është një mënyrë për të siguruar disa shërbime të ndryshme duke qarkulluar shuma minimale parash. Kjo familje ka menduar që të gatuajë një ushqim tradicional për ta tregtuar tek azil-kërkuesit e tjerë të bllokuar në kamp.Ata nuk janë familja e vetme e cila ka zgjedhur gatimin për të siguruar disa të ardhura. Ndërkohë, në pjesë të tjera të kampit mund të gjesh berberë si dhe një tregtar kafeje. Zyrtarët e organizatave humanitare shprehen se disa muaj më parë, azil-kërkuesit qëndronin për maksimumi një ose dy ditë në fshatin e Idomenit, përpara se të vijonin rrugëtimin e tyre drejt Europës Perëndimore dhe ngritja e bizneseve as që mund të mendohej. Por tashmë, në kushtet kur kanë qëndruar të bllokuar prej muajsh në këtë zonë, emigrantët janë munduar që të gjejnë një mjet për të siguruar të ardhura.Situata në kampin e Idomenit vijon të mbetet e rënduar pasi më shumë se 10.000 azil-kërkues nuk po lejohen që të kalojnë kufirin e Maqedonisë. Qeveria e Greqisë ka ngritur qëndra të posaçme për strehimin e refugjatëve, por këta të fundit refuzojnë që të transferohen me shpresën se autoritetet maqedonase do të hapin portat kufitare. Ata thonë gjithashtu se nuk mund t'a braktisin këtu rrugëtimin e tyre pasi kanë sakrifikuar gjithçka./Oranews.tv/