Reforma në Drejtësi, Basha: Me rëndësi produkti dhe jo koha kur miratohet
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha pas takimit me ambasadorët, Romana Vlahutin dhe Donald Lu tha se kushti kryesor për reformën në drejtësi është moskapja politike e drejtësisë. Basha tha se më shumë rëndësi ka produkti, sesa koha e miratimit të reformës në drejtësi.Kryeopozitari Basha tha gjithashtu se kanë kërkuar sqarim për nenin 25 pasi nuk dinë se kush e ka futur.Basha: Partia Demokratike është partia e demokracisë dhe e shtetit ligjor dhe si e tillë ka qenë prej ditës së parë mbështetësja më e qartë dhe më e vendosur e Reformës në Drejtësi. Kushti i vetëm i Partisë Demokratike gjatë gjithë këtij procesi ka qenë, është dhe do të mbetet deri në realizimin e tij me sukses, siç kemi besim të plotë që do të ndodhë, moskapja politike e drejtësisë.Nevoja për Reformën në Drejtësi nuk ka qënë kurrë më e madhe. Por për një reformë në drejtësi që Lufton dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin. Kjo natyrisht bën shumë persona nervozë. Ne i dimë, i njohim këta persona me emër dhe mbiemër. Ata janë sot në hierarkinë e pushtetit të Shqipërisë.Reforma nuk është një copë letër por reforma është zbatimi i saj përballë një oligarkie e cila sot i ka vënë vetes një damkë turpi të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të realitetit euro-aziatik, kur ditën e djeshme dy kasnecë të kësaj qeverie, dy ministra të kësaj ministrie i bënë presion kryetarit të Gjykatës së Drejtave të Njeriut në Gjykatën e Strasburgut, presion të hapur politik për të mos gjykuar çështjet e pronave me palë shtetin si dhunues dhe shkelës i së drejtave të pronarëve. Presione që vetë ministri i Drejtësisë i kabinetit i bëri Gjykatës Kushtetuese për të njëjtën çështje.Pra nuk është aq e lehtë sa ç'mund të mendojë dikush. Është e vështirë ndaj ka zgjatur dhe mund të zgjasë sepse në fund të fundit rëndësi ka produkti dhe jo koha.I vetmi shqetësim i Partisë Demokratike është që qytetarët të kenë një drejtësi të pakapur nga politika, që politika të mos i diktojë gjyqtarët dhe prokurorët. Në këtë kuadër kërkuam shpjegim edhe për të famshmin neni 25 dhe se cila dorë e ka futur në draftin përkatës. Sigurisht që bëmë të qartë pozicionin tonë edhe njëherë që një nen i tillë nuk është kërkuar dhe kurrë nuk do të pranohet nga Partia Demokratike.