Opozita siriane diskuton për konferencën SHBA-Rusi

Koalicioni i opozitës siriane nis sot bisedime treditëshe në Stamboll të Turqisë.Këshilli Kombëtar do të debatojë nëse do të marrë pjesë ose jo në një konferencë të organizuar nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, ku do të bëhen përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dyvjeçar në Siri.Në prag të bisedimeve, ministrat e jashtëm të vendeve që mbështesin rebelët sirianë në luftën e tyre kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad, janë takuar në Jordani.Miqtë e Sirisë i kanë bërë thirrje Iranit dhe grupit militant të Hezbollahut që të tërheqin luftëtarët nga territori sirian. Ata kanë thënë se prezenca e tyre në Siri është kërcënim për stabilitetin rajonal.Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se Uashingtoni është i gatshëm të rrisë mbështetjen për rebelët, nëse Assadi refuzon të diskutojë fundin politik të konfliktit, i cili deri më tani ka marrë rreth 80,000 jetë njerëzish.