Përpjekje për rimëkëmbje në Oklahoma

Tornado e së hënës që goditi qytezën Moore të Oklahomës, sipas analistëve, mund të jetë një nga më të kushtueshmit në historinë e Shteteve të Bashkuara, me dëme ekonomike me vlerën e 1,5 deri në 3 miliardë dollarë.Ndërkohë, vazhdojnë përpjekjet për të ndihmuar njerëzit e prekur nga stuhia vdekjeprurëse, që përshkoi një zonë 3 kilometra të gjerë dhe rreth 30 kilometra të gjatë në Oklahomën qendrore, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrim.Guvernatorja e Oklahomës Mary Fallin premtoi se shteti i saj do të rimëkëmbet.Administratori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave Craig Fugate tha se kjo agjenci do të bëjë të pamundurën që ata që kanë mbetur pa shtëpi të gjejnë strehim të përshtatshëm. Ai u bëri gjithashtu thirrje të mbijetuarve që të njoftojnë për gjendjen e tyre.Zyrtarët u kanë kërkuar banorëve dhe vullnetarëve që të mos bllokojnë rrugët kryesore që përshkojnë zonat e katastrofës, në mënyrë që përpjekjet e rimëkëmbjes të jenë më të shpejta. Ata thanë se sistemi i paralajmërimit kishte dhënë lajmërim me kohë para stuhisë. Susan Pierce, kryeinspektore e shkollave publike të distriktit Moore tha se shumë jetë ishin shpëtuar duke ndjekur procedurat e strehimit në çdo shkollë.Presidenti Barack Obama premtoi ndihmë federale për përpjekjet e rimëkëmbjes. Kjo detyrë është e vështirë. Ndërkohë, Oklahoma dhe shtetet përreth po bëhen gati të përballojnë më shumë tornado dhe stuhi në ditët në vazhdim.