Detaje të reja, gjyqtari Hoxha u arrestua pranë zyrës

Një grup operacional i policisë kishte nën vëzhgim dhe priste momentin e shkëmbimit të parave, për të dokumentuar përfshirjen e gjyqtarit Ibrahim Hoxha në aferën korruptive.Burime të rezervuara për Ora News, thanë se shkëmbimi i parave ishte parashikuar të kryhej dje në një lokal në kryeqytet, rreth orës 17:00.Por në rrethana të paqarta, ky takim u shty. Vetë gjyqtari nuk ka shkuar për të marrë paratë, por djali i tij.Sipas komunikimeve, që dalin nga përgjimi, mësohet se palët ranë dakord që 6 milion lekë t'i merrte një natë para shpalljes së vendimit dhe 2 milion të tjera pasi të shpallej vendimi për një pronë trashëgimie, që përfshinte një dyqan dhe një banesë në Tiranë.Por megjithë marrëveshjen, palët duket kanë patur mosbesim tek njëra-tjetra, shtojnë këto burime policore.Nga biseda e përgjuar, zbulohet se Novruz Gajde komunikon me gjyqtarin, me të cilin flet për një “gjashtëshe”.Gjatë dorëzimit të parave, edhe djali i gjyqtarit edhe sekseri kishin marrë me vete edhe nga 2 shokë.Gjyqtari u ndalua pranë zyrës, ku do të shkruante vendimin që do të shpallte sot./Ora News/