Dule, Berishës: Produktin e “pazarit politik” për të cilin flet e kishe sot në krah
Kryeministrit i është bërë obsesion ideja e ekzistencës së pazareve politike jo transparente dhe produktin e një pazari të tillë në vitin 2009 me synim dëmtimin e PBDNJ-së e kishte sot në krah. Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njerit, Vangjel Dule, në përgjigje të deklaratave të Kryeministrit Berisha në Gjirokastër lidhur me koalicionin “Për Shqipërinë Europiane”. Në një deklaratë për mediat Dule sqaron edhe “pazarin politik” me PS.“Kryeministrit i është bërë obsesion ideja e ekzistencës së pazareve politike jo transparente. Produktin e një pazari të tillë në vitin 2009 me synim dëmtimin e PBDNJ-së e kishte sot në krah. Për të mos lënë hapësirë për hamendje , po konfirmojmë “pazarin tonë politik” në kuadër të zgjedhjeve 2013 me qytetarët dhe mbarë shoqërinë. Kjo me qëllimin e vetëm për të larguar përfundimisht qeverinë e kryesuar nga z. Sali Berisha dhe për të hapur rrugë: zhbllokimit të procesit të demokracisë funksionale, të riininicimit të kontaktit tonë me Evropën dhe integrimin euroatlantik, të vendosjes në vend të integritetit të shtetit institucional, të rivendosjes së koherencës së shoqërisë dhe të luftimit të mjerimit, të ardhjes përsëri në epiqendër të veprimtarisë së shtetit dhe politikës të dimensionit human dhe të drejtave të njeriut, të zbardhjes me qëllim mospërsëritjen kurrë të përdorimit të presionit politik dhe vrasjeve publike me qëllim mbajtjen e pushtetit. Jemi të bindur se kjo është marrëveshja që tashmë është e firmosur nga shumica e shoqërisë dhe do të konfirmohet me votë plebishitare më 23 Qershor”thekson ai.Duke iu referuar sërish takimit të Berishës në Gjirokastër, Dule shprehet më tej se “prisnim nga Kryeministri përgjigje për disa çështje konkrrete që preokupojnë komunitetin e zonës dhe Minoritetin Etnik Grek dhe jo shpifje të radhës”.“Prisnim nga Kryeministri në kuadër të vizitës së tij në Gjirokastër përgjigje për disa çështje konkrrete që preokupojnë komunitetin e zonës dhe Minoritetin Etnik Grek, sikundër publikisht i parashtruam ato mbrëmë. Lidhen ato kryesisht me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, Censusin dhe pronat e paluajtshme, grabitjen e trashëgimisë kulturore dhe sigurinë publike dhe të jetës, mjerimin social, mungesën e zhvillimit dhe diskriminimin ekonomik dhe mungesën e veprave infrastrukturore. Në vend të tyre erdhi shpifja e radhës me aludime që manifestojnë marrëdhënien e vështirë që personalisht ka në bashkëpunimin ndërpartiak në të mirë të zhvillimit të demokracisë”përfundon Dule në deklaratën e tij.