Në 9 muaj 32 proçedura me vlerë mbi 100 mln lekë, dominojnë në Bashkitë e majta
Në 9 muajt e fundit, që kur Bashkitë e reja kanë filluar punën janë kryer gjithsej 32 tendera me vlera të mëdha mbi 100 milionë lekë. Drejtorja e projektit Prokurime Transparente, Aranita Brahaj, shpjegoi se 31 nga këto tendera u përkasin Bashkive të majta dhe vetëm një është në një Bashki të djathtë. Ajo bën të ditur gjithashtu se të dhënat e deritanishme tregojnë për probleme në dhënien me qera të aseteve nga Bashkitë.Që prej 20 korrikut kur kanë nisur punën Bashkitë e reja, rezultojnë të jenë kryer 32 tendera me vlera të mëdha mbi 100 milionë lekë, ku 31 prej tyre janë kryer në Bashkitë e majta dhe vetëm një në një Bashki të djathtë.Ky është përfundimi i hulumtimit të kryer nga Open Data Albania, bazuar në të dhënat portalit për Prokurime Transparente, që sipas drejtuesve hedh dritë mbi mënyrën sesi janë shpërndarë fondet për vendorët.Brahaj: Vetëm në një rast kemi një Bashki të djathtë, pra është një tender i Bashkisë së Lushnjes, ndërkohë që të gjithë tenderat e tjerë, pra të 31 tenderat e tjerë të realizuar me vlera mbi 100 milion lekë janë tendera që i përkasin Bashkive të majta. Ndoshta është një rastësi ky nëntë apo dhjetë mujor që kemi këtë alokim fondesh dhe këto vlera të investimeve dhe financimeve publike, por do të duhet të analizohet me kujdes edhe rishpërndarja e fondeve.Të dhënat tregojnë se probleme ka edhe në mënyrën sesi realizohen tenderat e dhënies me qera të aseteve nga Bashkitë e reja, ku përcaktohen çmime dysheme shumë të ulëta dhe nuk lihet koha e mjaftueshme të interesuarve për të shprehur interes.Brahaj: Raste të tilla me afate të ngushta në një farë mënyre krijojnë dhe dyshime të bazuara për parashikime klienteliste të fituesve të mundshëm. Çmimet dysheme të cilat kanë të bëjnë me shpalljet për qeradhënie janë çmime shpesh herë jo të justifikueshme.Një tjetër problem që të dhënat nxjerrin në pah është zhvillimi i dhjetëra tenderave të zhvilluara nëpër disa Bashki të vendit me një konkurent të vetëm.Edhe pse proçedura është tërësisht ligjore, ajo dëshmon për mungesën e plotë të konkurencës, duke hedhur hije dyshimi edhe për favorizime të kompanive të caktuara.