Vritet ish-ushtari i UÇK, ishte dëshmitar në Gjykatën Speciale

Bedri Curri, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  është gjetur i vrarë dje në fshatin Korreticë të Drenasit. Policia e Kosovës nuk ka dhënë ende shkakun e vrasjes së tij dhe as detaje të vrasjes, duke u shprehur se ngjarja është në hetim. 37 vjeçari kishte ardhur në Drenas me pushime, pasi jetonte në Zvicër.Mediat në Kosovë, duke cituar burime të afërta me hetimet për krime lufte shkruajnë se Curri ka qenë dëshmitar për zonën e Berishës. Një gjë të tillë e kanë thënë edhe burime nga Policia e Kosovës, bazuar në deklaratat e familjarëve të të ndjerit.37-vjeçari ka qenë ushtar i UÇK -së në zonën që është kontrolluar nga Ajvaz Berisha, i njohur si komandant Tigri. Familjarët e viktimës nuk i janë përgjigjur interesit të mediave, duke thënë thjesht nuk mundemi.  Hermetik është treguar edhe Task Forca speciale që merret me hetimin e pretendimeve të raportit të Dick Martyt, duke mos iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.EULEX ndërkaq nëpërmjet zëdhënëses Besa Domi ka deklaruar se nuk mund të komentojë  identitetin e askujt, që nuk është qartësisht i identifikuar në procese gjyqësore.Sipas Policisë, hetuesit janë duke punuar me përkushtim të madh për të zbuluar identitetin dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit duke intervistuar një numër personash në cilësi të dëshmitarëve apo edhe të tjerë./Ora News/