Nis mbushja e rezervuarit të Banjës, Gjiknuri: Vepra transformuese, energji në të ardhmen
Kompania norvegjeze Statkraft, që po ndërton hidrocentralin e Devollit ka nisur fazën e mbushjes së rezervuarit të Banjës. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri e konsideroi një vepër transformuese, që do të sigurojë prodhim energjie në të ardhmen dhe një shkollë për marrëdhënien e partneritetit publik privat. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ishte ishte i pranishëm në ceremoninë e fazës së përmbytjes së rezervuarit të Banjës, investim i kompanisë norvegjeze Statkraft.Punimet më të rëndësishme u përfunduan përpara se të mund të niste faza e përmbytjes, si diga e Banjës, sistemi i shkarkimit, sistemimi i rrjedhës ujore, shkarkimet e emergjencës dhe dalja e poshtme, si dhe rregullimet për largimin e sedimenteve, që të gjitha këto në shërbim të prodhimit të energjisë elektrike në të ardhmen. Ministri Gjiknuri deklaroi se për zonën kjo është një vepër transformuese.Gjiknuri: “Vepra po përfundon. Ky është stacioni i parë më i rëndësishëm sepse këtu kemi të bëjmë me përfundimin e kësaj dige, me fillimin e mbushjes së rezervuarit. Por kjo nuk është gjithçka. Ne e dimë shumë mirë që hidrocentrali i Devollit përfshin edhe një stacion tjetër shumë të rëndësishëm që është Diga e Nomglomicës e cila sapo ka filluar të ndërtohet dhe jam shumë i sigurt që kompania Statkraft me mundësitë dhe aftësitë që ka do ta përfundojë edhe atë në kohë”.Sipas Gjiknurit, projekti ka shërbyer edhe si një shkollë për marrëdhënien në kuadër të partneritetit publik-privat.Gjiknuri: "Dikur ne donim të bënim garë politike kush e solli e kush e bëri kontratën, por nuk është gjithçka aty. Puna është se si do të implementohet ajo, si do të zgjidhen sfidat që vazhdojnë rrugës".Rezervuari i Banjës do të jetë rreth 16 km i gjatë. Në përfundim të procesit të përmbytjes, rezervuari i Banjës do të mbajë rreth 391 miliardë litra ujë.Pasi të ketë përfunduar faza e mbushjes dhe pasi të jetë kryer me sukses prova e vënies në punë me ngarkesë, HEC-i i Banjës mund të futet në shfrytëzim./Oranews.tv/