Kriza e Sirisë, përfaqësuesit e opozitës braktisin bisedimet për paqe

Delegacioni opozitar në bisedimet për vendosjen e paqes në Siri, ka komunikuar se do t'i bojkotojë bisedimet pasi sipas tyre, sjellja e përfaqësuesve të qeverisë nuk ka qënë aspak serioze. Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesi i delegacionit opozitar negociues, Asaad Al Zoubi, i cili tha se ky vendim është i parevokueshëm, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara kërkuan që opozita të vijojë negociatat. Nga ana tjetër, kur palët negociatore ndërprenë zyrtarisht bisedimet, dy helikopterë kanë bombarduar në qytetin sirian të Hamasit, duke vënë në rrezik edhe marrëveshjen e armëpushimit.

Opozita siriane do të braktisë bisedimet për vendosjen e paqes në Siri. Lajmi është komunikuar nga drejtuesi i delegacionit opozitar negociues, Asaad Al Zoubi, i cili theksoi se shkak i këtij vendimi është bërë mungesa e seriozitetit nga ana e përfaqësuesueve të qeverisë së Bashar Al Assad. Al Zoubi u prononcua gjatë largimit të tij nga hoteli ku po qëndronte në Gjenevë, teksa komunikoi se brenda ditës së premte, të gjithë përfaqësuesit opozitarë do të kthehen në shtëpitë e tyre.

Gjatë largimit, shefi negociator i opozitës u pyet edhe në lidhje me presionin e ushtruar nga Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë kërkuar që përfaqësuesit të vijojnë negociatat pavarësisht vështirëve. Al Zoubi deklaroi se ekipi i ka marrë në konsideratë të gjitha këshillat, por theksoi se vazhdimi i diskutimit është bërë i pamundur pasi qeveria e Bashar al Assad nuk kërkon që vendi të kalojë përmes një procesi politik. Bisedimet për paqe në Gjenevë prej muajsh janë drejtuar nga i deleguari special i OKB-së Staffan De Mistura.

Nga ana tjetër, kur palët negociatore ndërprenë zyrtarisht bisedimet, dy helikopterë kanë bombarduar në qytetin sirian të Hamasit, duke vënë në rrezik edhe marrëveshjen e armëpushimit. Një gjë e tillë mund t'i nxisë rebelët që kundërshtojnë regjimin e Assad që të sulmojnë sërish. 

/Oranews.tv/