Aplikacioni për denoncimin e tatimeve e doganave
Nëpërmjet një aplikacioni në telefon, që do të quhet tatimpaguesi digital, bizneset dhe qytetarët mund të dërgojnë pyetje për administratën e tatimeve dhe doganave, si dhe të bëjnë denoncime. Projekti që pritet të konkretizohet së shpejti është lancuar nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj gjatë takimit me tatimorët dhe doganierët e Fierit dhe synon përmirësimin e klimës së biznesit.Ahmetaj: Shumë shpejt do të lancojmë një aplikacion i cili do të jetë shumë i thjeshtë edhe në telefonat tuaj, që do të quhet tatimpaguesi dixhital. Përmes këtij aplikacioni, nga tel tuaj ju mund të komunikoni me ne, me tatimet, me doganat përmes qendrës operative në Ministrinë e Financave, sipas tre kategorive kryesore që janë sugjerim, pyetje dhe denoncim.Ahmetaj ka apeluar biznesin që të dërgojë pranë ministrisë së Financave propozimet për lehtësimin e procedurave tatimore, të cilat do të materializohen në paketën fiskale 2017.Ahmetaj: Ditën e Hënë unë do t’iu dërgoj një letër përfaqësuesve të sipërmarrjes në të gjithë Shqipërinë dhe Dhomave të Tregtisë, në mënyrë qe deri në datën 20 Qershor ju të na keni sjellë opinione sesi t’i përmirësojmë procedurat administrative qoftë në tatime, qoftë në dogana.Kreu i Financave ka ritheksuar se lufta kundër informalitetit do të vijojë dhe në këtë fazë të dytë, në fokus do të jetë biznesi i madh.