Qeveria: Kompania “Trimed” fituese vetëm për 18 barna me vlerë 8.9 mln lekë

Qeveria përmes portalit Transparenca.al i është përgjigjur akuzës së Partisë Demokratike mbi prokurimet me negocim për furnizimin me barna të spitaleve.Në reagimin e tij portal qeveritar, procedura e prokurimit me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, është një procedurë tërësisht e ligjshme, e cila bazohet në nenin 33, të Ligjit nr. 9643, dt. 20/1/2006, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe në nenin 36 të VKM-së Nr. 914, dt. 29/12/2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.“Kjo procedurë zbatohet tashmë prej vitesh. Ndryshe çka pretendon Partia Demokratike, negocimi pa shpallje nuk është prokurim pa garë apo i drejtpërdrejtë , por është një procedurë ku spitalet ftojnë operatorë të ndryshëm ekonomikë, në një proces të kontrollueshëm për cilindo operator ekonomik”.Qeveria nënvizon se çdo vit, me çeljen e buxhetit në muajin Janar, spitalet autorizohen të bëjnë vetë procedura prokurimi për të plotësuar nevojat e ngutshme të muajve të parë të vitit, derisa të realizohet prokurimi i përqendruar në Ministrinë e Shëndetësisë për plotësimin e nevojave vjetore të spitaleve.Edhe këtë vit, sqarohet në reagim, për plotësimin e nevojave të ngutshme të spitaleve, janë prokuruar me negocim pa shpallje për plotësimin e nevojave të spitaleve 436 barna, me një vlerë totale prej 764,318,605 lekësh.Në këto procedura, sipas Qeverisë, kompania “Trimed” është përzgjedhur fituese vetëm për 18 barna, me një vlerë totale prej 8,969,591 lekësh, ose 1.2% të vlerës totale.