Pronat e bankave, BSH: Vlera 22 mld lekë, rënia nga mosshitja rrezik për bilancin
Në katër vitet e fundit, vlera e pronave që bankat kanë grumbulluar nga moskthimi i kredive është mëse katërfishuar, duke arritur vlerën e 22 miliardë lekëve. Banka e Shqipërisë e gjykon se kjo situatë paraqitet rrezik për sistemin bankar, pasi në rast mosshitje vlera e këtyre pronave bie, duke u shkaktuar bankave humbje financiare dhe rrjedhimisht krijon probleme me likuiditetin për sistemin bankar.Ekzekutimi i kolateraleve në pamundësi të kthimit të kredive nga individët dhe bizneset ka bërë që bankat të kryejnë edhe funksionet e Agjencive të pasurive të patundshme.Banka e Shqipërisë vlerëson në raportin e Stabilitetit Financiar për pjesën e dytë të vitit 2015, se vlera e pronave që bankat tregtare në vend kanë grumbulluar ka arritur në rreth 22 miliardë lekë nga 5 miliardë që ishte në vitin 2012.Pra, në harkun kohor të 4 viteve, vlera e pasurive të patundshme të marra nga bankat është mëse katëfishuar.Banka e Shqipërisë gjykon se kjo situatë paraqitet rrezik për sistemin bankar, pasi duhet vlerësuar ndikimi që ka mbajtja në bilanc e këtyre lloj kolateraleve mbi të ardhurat dhe kapitalin e bankës. “Tabloja e mësipërme evidenton edhe një herë rëndësinë e adresimit të këtij fenomeni në kuadër të shëndetit të bankave individuale dhe të sektorit bankar në tërësi”. Duke analizuar situatën, Banka Qendrore konstaton se rreziku mund të materializohet nga një rënie e çmimit të pasurive të paluajtshme, gjatë periudhës së mbajtjes në bilanc dhe mund të pakësojë të ardhurat që mund të realizohen nga shitja, çka për bankën do të sillte humbje financiare dhe rrjedhimisht, edhe probleme me likuidtetin e sistemit.Nga ana tjetër, marrja e pronave nga bankat për kreditë e pakthyera dhe shitja e tyre shoqërohet edhe me probleme sociale.Kanë qenë të shumta rastet e konflikteve mes kredimarrësit që nuk ka kthyer huanë dhe i është marrë shtëpia e lënë si kolateral dhe blerësit pasi banka e ka nxjerrë pronën në ankand