Peleshi: Korrupsionin do e luftojmë me dixhitalizim;Kapllanaj: Ka probleme më urgjente

Vetëm disa ditë pas publikimit të raportit të Departatmentit të Shtetit Amerikan ku vlerësohej se korrupsioni në administratë është shqetësues, numri dy i Qeverisë Niko Peleshi ka pranuar se institucionet shqiptare në shumë raste kanë dështuar në dhënien e shërbimeve. Peleshi foli gjatë prezantimit të aplikacionit ku qytetarët mund të ankohen pranë Bashkive për problemet që hasin. Por Kryebashkiaku i djathtë i Mallakastrës u shpreh se qytetet kanë probleme më emergjente se dixhitalizimi.Zëvendës/kryeministri Niko Peleshi ka pranuar se në administratën publike shpesh herë qytetarët detyrohen të japin ryshfet për të marrë një shërbim.Kjo deklaratë ka ardhur gjatë prezantimit të një aplikacioni, i cili do të shërbejë për ankesat e qytetarëve ndaj Bashkive dhe vjen vetëm disa ditë pas konstatimit të Departamentit Amerikan të Shtetit se problemet më shqetësuese janë ekzistenca e korrupsionit në shëndetësi dhe drejtësi.Niko Peleshi: E vërteta është se shërbimet tona në shumë zyra vazhdojnë të jenë burokratike, të vështira, vështirësisht të aksesueshme për qytetarët. Dhe natyrisht mbrapa burokracisë krijohet dhe mundësia e një nëpunësi, i cili në këmbim të mos nxirjes së jetës për qytetarin merr ryshfetin.Por për kryebashkiakun e Mallakastrës, dixhitalizimi nuk zgjidh asgjë në një kohë që në Shqipëri ka probleme më të mprehta siç janë varfëria dhe papunësia.Agron Kapllanaj: Ne nuk kemi asnjë lloj mundësie që tu zgjidhim qoftë edhe problemin më të vogël, qoftë edhe një pusetë në qytet apo kanal të bllokuar në një fshat. Sepse mundësitë financiare janë zero, të ardhurat në ato Bashki të cilat u bashkuan të gjithë ato njësi vendore në mënyrë mekanike dhe të ardhurat kanë qenë zero dhe zero do të ngelen.Ndërkohë për Ministren e Inovacionit, krijimi i aplikacioneve on-line është e vetmja mënyrë për të ulur burokracitë dhe për të ofruar më shumë shërbime ndaj qytetarit.Milena Harito: Një sërë aplikimesh që na kanë ardhur për fondet e këtij viti tek Shqipëria dixhitale kanë të bëjnë me mirëmenaxhimin e taksave në territoret tuaja dhe mirëmenaxhimin e burimeve tuaja njerëzore.Aplikacioni i ri on-line “Përmirëso Qytetin” u jep mundësi të gjithë qytetarëve që të  ankohen në lidhje me probleme të ndryshme që hasin në qytetin e tyre si mungesa e kapakëve të pusetave, mungesa e ndriçimit publik apo gjendja në infrastrukturë.