Stop HEC-eve! Shoqëria civile dhe ambjentalistët në mbrojtje të parkut të Valbonës

Qytetarë dhe ambjentalistë kanë protestuar përballë Kryeministrisë kundër dëmtimit që mund të sjellë në parkun e Valbonës ndërtimi i HEC-eve.Ata e kanë konsideruar të dëmshëm ndërtimin e tyre ndërkohë që në këtë zonë ka pasur rritje të numrit të prenotimeve nga turistët.Ambjentalisti, Lavdosh Ferruni, deklaron se Parku Kombëtar i Valbonës është një pasuri kombëtare për të cilën duhet të bëhet gjithçka për ta mbrojtur.Ferruni sugjeron që vëmendja e Qeverisë të kthehet në prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet erës dhe diellit.Ferruni: Kjo është pasuri jo vetëm shqiptare, por tashmë edhe europiane. Ju e dini të gjithë se çfarë zhvillimi të madh dhe dinamizmi të madh ka sektori i turizmit në veri, sidomos në Valbonë. Këta njerëz që jetojnë aty kanë një shpresë, kanë një të ardhme. E kanë Valbonën shpirtin e tyre por tani kanë edhe një mundësi të gjenerojnë të ardhura nga turizmi. Prenotimet kanë filluar të rriten në mënyrë galopante në këtë territor. Aq më tepër ajo është jetike në kuptimin e të mirave materiale, të bujqësisë, të peshkimit që është jetike për atë luginë.Në Valbonë parashikohen të ndërtohen 11 Hidrocentrale në gjatësinë e 25 km, ndërkohë që brenda Parkut Kombëtar parashikohen të ndërtohen 3 Hidrocentrale.