Ahmetaj: Bizneset e ish-Bllokut do të kalojnë në biznese të mëdha
Ministria e Financave do të bëjë riklasifikim të bizneseve në zonën e ish Bllokut, duke i kthyer nga biznese të vogla në të mëdha, pasi nga analiza e riskut ka rezultuar se ato kanë fshehur xhiron. Lajmi është dhënë nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili pas prezantimit publik të fazës së dytë të aksionit kundër informalitetit, ka nisur takimet me Drejtoritë rajonale të Tatimeve dhe Doganave për zbatimin e planit operacional.Arben Ahmetaj: “Nesër blloku nuk njeh biznes të vogël, janë të gjithë biznes i madh sepse e vërtëta kjo është, dhe unë në fund të javës, dua t’i tregoj publikut shqiptar që ne e dimë shumë mirë se çfarë ndodh”Ahmetaj diskutoi me tatimorët për modelin e riskut në tatime, përmes të cilit administrata do të kontrollojë biznesin nga zyra. Modeli i riskut është diskutuar edhe me administratën tatimore, ku ministri Ahmetaj kërkoi që të furnizohej me informacion sistemi, me të cilin është e pajisur dogana. Ministri kërkoi gjithashtu, që kalimi i mallrave kinezë dhe turke të përqendrohet vetëm në Doganën e Tiranës.Arben Ahmetaj: “Duke ditur se çfarë bëhet me mallrat turke dhe kineze, nuk do të bëhet më as në Durrës, as në Fier, askund tjetër. Të gjitha do të vijnë këtu. Dhe kini parasysh, se ju e dini shumë më mirë se unë se këtu bëhet problematika kryesore, tek mallrat turke dhe kineze, po flas në referencë të vlerës, dhe mos harroni se monitorimin do ta keni jashtëzakonisht shumë të madh”Kreu i Financave ka deklaruar se për qëllime të rritjes së efikasitetit të kontrollit, hetimi financiar dhe policia doganore do të dalin jashtë territorit të doganës./Oranews.tv/