Vetëvendosje hedh poshtë raportin për demarkacionin: Për interesa të Jahjagës
Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar edhe vendimin e ekspertëve ndërkombëtar për demarkacionin me Malin e Zi.Në një reagim, Lëvizja thotë se ky vendim është i papranueshëm, duke paraqitur edhe arsyet për këtë. Sipas Lëvizjes, grupi nuk kishte në përbërje ekspertë vendas dhe ka vepruar me të njëjtën metodë si komisioni i kaluar. Në emër edhe të opozitës, Vetëvendosje thekson se gjetjet e ekipit ndërkombëtar janë bërë për nevoja të Presidentes dhe si e tillë nuk mund të ketë reflektim në domosdoshmërinë e korrigjimit me Malin e Zi.“Kufijtë e Kosovës mund t’i caktojë vetëm një Komision kredibil shtetëror i Kosovës, i cili mund të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, që do të shfrytëzojë dokumente valide, metodologji adapte të punës dhe të dhëna shkencore, por kurrsesi një grup prej tre personave prej të cilëve vetëm njëri është ekspert i fushës kurse dy të tjerët janë diplomatë”, thekson reagimi.Opozita e Bashkuar në Kosovë shprehet se kufiri i Kosovës me Malin e zi është në Çakorr dhe në Kullë të Zhlepit. “Mbi 205 mijë qytetarë kanë nënshkruar kundër këtij demarkacioni dhe vullneti i tyre nuk është marrë parasysh as nga presidentja e as nga ky ekip. Argumentet e paraqitura nga ky ekip ndërkombëtar se demarkacioni me Malin e zi është një proces legal e ku nuk ka pasur shpërputhje ndërmjet dy komsioneve shtetërore, nuk qëndron, sepse edhe në një proces legal, e ku nuk ka as shpërputhje, mund të bëhen zgjidhje jolegale, siç ka ndodhur me rastin e Kosovës me Malin e Zi. Kosova nuk ka territore për të falur dhe tërësinë e saj territoriale do ta mbrojmë pavarësisht vendimeve të tilla”, thuhet më tej. /Ora News/