Shqipëri-Kosovë, studim për ndërtimin e një termocentrali të përbashkët

Shqipëria dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin në sektorin energjitik. Krahas linjës 400 kilovolt, Shqipëri-Kosovë shprehin angazhim për projekte tjera energjitike.Në vëmendje do të jetë krijimi dhe operimi i bursës së energjisë. Ministri Damian Gjiknuri u shpreh se tashmë ka nisur një studim për ndërtimin e një termocentrali të përbashkët.Pas përfundimit të linjës së interkonjeksionit, Shqipëria dhe Kosova do të nisin studimin për ndërtimin e një termocentrali të përbashkët.Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, pas takimit me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci, u shpreh se synim kryesor është krijimi i një tregu të përbashkët energjie.Gjithashtu dy vendet do të bashkëpunojnë edhe për krijimin e një burse energjie të përbashkët.Gjiknuri: Grupet e punës tashmë kanë filluar punën konkrete. Shqipëria ka bërë disa hapa në lidhje me dizenjimin e një burse energjetike dhe po shikojmë mundësinë sesi edhe ky proces i yni të integrohet me proceset që po zhvillohen në Kosovë përsa i përket politikave energjetike. Me Ministrin kemi rënë dakord, shumë shpejt do ta bëjmë konkrete edhe me mbështetjen e USAID-it të Shteteve të Bashkuara. Ata do të udhëheqin procesin me të cilin ne do të synojmë bërjen e studimeve të fizibilitetit për krijimin e kapaciteteve të përbashkëta të prodhimit të energjisë elektrike. Do të thotë që në kuadrin e një tregu të përbashkët, kemi mundësi që Shqipëria edhe Kosova të investojnë në ndonjë termocentral të përbashkët, kuptohet brenda këtyre politikave të harmonizuara të një tregu të përbashkët. Unë them se kjo është një mundësi e mirë për të harmonizuar burimet që ka Kosova dhe burimet që ka Shqipëria, pra hidron tonë dhe linjitin e Kosovës. Nga ana tjetër, së bashku me Kosovën kemi aplikuar me Bashkimin Evropian për financim pët studimin e fizibilitetit për gazsjellësin Shqipëri-Kosovë, pra që do të jetë një zgjatim i TAP-it.Ministri Stavileci deklaroi se të dyja vendet kanë angazhime dhe projekte të rëndësishme në sektorin energjitik.Stavileci: Duhet ti hapim rrugë projekteve dhe aktiviteteve të reja që shkojnë në dy drejtime kryesore: së pari, që ti konsolidojmë sistemet brenda, tregun e Shqipërisë dhe atë të Kosovës; në anën tjetër, tek kjo rruga e një tregu të përbashkët, i cili po ashtu do të sjellë shumë avantazhe për të dyja shtetet. Kemi angazhime që për nga qëllimi janë të njëjta sepse na shpien në të njëjtin drejtim. Ne në projektet tona për ndërtimin dhe rigjenerimin e kapaciteteve ekzistuese, ndërsa ju më shumë tek reforma e tregut, liberalizimi dhe diversifikimi i burimeve. Mendoj për projektet e përbashkëta, mundësia e një projekti të përbashkët të cilit do ti paraprinte një studim parafizibiliteti edhe me asistencën e donatorëve.Shqipëria dhe Kosova kanë aplikuar sëbashku në Bashkimin Europian për financim për studimin e fizibilitetit për gazsjellësin Shqipëri-Kosovë, pra që do të jetë një zgjatim i TAP-it.