Nis evakuimi i emigrantëve nga kufiri greko-maqedonas
Qeveria greke në bashkëpunim me organizatat humanitare kanë nisur përpjekjet për të bindur emigrantët e bllokuar në kufirin greko-maqedonas që të transferohen nga kampi i Idomenit drejt qëndrave të tjera të përkohshme që janë ngritur për strehimin e tyre. Azil-kërkuesit prej javësh kanë qënë të bllokuar në kushte ekstreme teksa një problem shqetësues ka qënë edhe mundësia e përhapjes së sëmundjeve epidemike. Ndërkohë, organizatat humanitare kanë bërë thirrje që emigrantët të transferohen pasi sipas tyre, ata do të marrin një trajtim më dinjitoz në kampet e tjera. Në kushtet kur mijëra emigrantë kanë qëndruar të bllokuar prej javësh në kushte ekstreme pranë kufirit greko-maqedonas, qeveria e Athinës në bashkëpunim me organizatat humanitare ka nisur përpjekjet për të bindur azil-kërkuesit që të transferohen në qëndra të tjera strehimi. Ata shpërndanë fletëpalosje si dhe komunikuan me emigrantët duke i'u shpjeguar se në kampet e tjera, atyre do t'u vihej në dispozicion një trajtim më dinjitioz.Disa prej emigrantëve pranuan që të largohen në qëndrat e posaçme të ngritura së fundmi nga qeveria. Ata thanë se kushtet në kampin e Idomenit ishin vështirësuar së tepërmi. Përveç rreshjeve të shiut, atyre i'u është dashur gjithashtu që të përballen me komplikacionet shëndetsore si dhe mungesën e ushqimit. Alarmi është dhënë edhe nga organizatat humanitare të cilët kanë bërë me dije se rezervat ushqimore dhe medikamentet janë drejt fundit dhe se situata rrezikon të dalë jashtë kontrrollit.Disa prej emigrantëve shprehen se nuk mund të qëndrojnë më në kampin e Idomenit, por shumica prej tyre thotë se nuk mund të kthehen pas. Ata shtojnë se kanë rrezikuar gjithçka për t'iu larguar luftës dhe se dëshira e tyre e vetme është që të mbërrijnë në Europën Perëndimore. Qeveria greke vendosi në dispozicion 20 autobusë për transportin e tyre nga kampi i Idomenit drejt qëdnrave të tjera. Megjithatë, burime zyrtare komunikojnë se vetëm 4 prej tyre arritën të mbushen me azil-kërkues. Aktualisht në të gjithë Greqinë ndodhen të paktën 50.000 emigrantë./Oranews.tv/