Rafael Nadal fiton "Masters 1000" në Madrid
Rafael Nadal vazhdon kthimin e tij të suksesshëm pasi ka lënë pas dëmtimin, duke arritur të mund Stanislas Vavrinka me rezultatin 6-2 dhe 6-4 në finalen e turneut "Masters 1000" të Madridit. Kjo ishte hera e tretë që spanjolli dominon para publikut të tij, pasi më parë kishte marrë trofeun edhe në vitet 2005 dhe 2010.Ky ishte triumfi i 5-të në 7 turne në të cilët ka marrë pjesë gjatë viti 2013 tenisti nga Majorka, duke treguar se ka lënë plotësisht pas dëmtimin e tij dhe se është kthyer në formën më të mirë të mundshme, për të tentuar t'i rimarrë kreun e renditjes botërore serbit Gjokoviç.Ai mbetet tenisti më i fortë në qarkullim sidomos në tokën e kuqe, ndërsa ka arritur të shkojë në finale në të 7 turnetë ku ka marrë pjesë këtë vit. Para turneve të javëve të ardhshme në Romë e Paris, në terrenin e tij të preferuar, duket qartë se ai është pretendenti kryesor për fitore, pasi jo rastësisht ky ishte trofeu i 40-të i fituar në dheun e kuq, ndër 55 suksese në karrierë.