Bushati hap “shportën” e problemeve në Athinë: Nuk mund të jemi miq dhe armiq në të njëjtën kohë!

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka folur për herë të parë publikisht në Greqi mbi çështjen çame. Në ditën e dytë të vizitës në shtetin fqinj, Bushati ishte i ftuar nga Fondacioni Grek për Politikën e Jashtme dhe Evropiane, ELIAMEP për të diskutuar mbi rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke.Sipas shefit të diplomacisë shqiptare mosmarrëveshjet evidente mes dy shteteve janë ligji i luftës, çështja e pronave të sekuestruara të qytetarëve shqiptarë në Greqi gjatë luftës së dytë botërore  dhe çështja aq shumë e debatuar ajo e të drejtave të njeriut të popullsisë çame dhe pasardhësve të tyre.Në përgjigje të zyrtarëve të lartë grekë se nuk ka një fuqi ligj lufte me Shqipërinë, ministri Bushati i është referuar dekretit mbretëror të 10 nëntorit 1940 që ka vendosur gjendje lufte me Shqipërinë duke kërkuar shfuqizimin e tij.Bushati: Nga këndvështrimi i Shqipërisë, mund të evidentohet dëbimi tragjik dhe i dhunshëm i çamëve pas LIIB; Ligji absurd i Luftës i cili është ende në fuqi sot së bashku me efektet e tij; retorika e nxehtë gjatë regjimit komunist; dhe se fundmi lëvizjet migratore që kanë përcaktuar ndërveprimin tonë shoqëror dhe ekonomik gjatë 25 viteve të fundit. Greqia është pjesë e katërkëndëshit strategjik të politikes së Jashtme te Shqipërisë, së bashku me Italinë, Austrinë dhe Turqinë.Bushati tha midis dy vendesh ka një listë mosmarrëveshjesh, të cilat nuk janë zgjidhur. Ai i ka ndarë ato në tri shporta të ndryshme.Në shportën e parë: çështjet e trashëguara nga e kaluara:-Këtu gjendet çështja më e çuditshme në marrëdhëniet tona, "çështja e ligjit te luftës";-Gjendet gjithashtu edhe çështja e pronave të sekuestruara të qytetarëve shqiptarë në Greqi gjatë dhe pas LIIB;-Gjithashtu, çështja e të Drejtave të Njeriut të popullsisë çame dhe pasardhësve të tyre; Në shportën e dytë: çështjet e se tashmes, që kanë një impakt mbi jetën e përditshme, ku përfshihet puna e komisioneve të përbashkëta dypalëshe, si dhe çështjet konsullore; Në shportën e tretë, çështjet që kanë një rëndësi te veçantë për të ardhmen: delimitimi i zonës ekskluzive ekonomike dhe shelfit kontinental është sigurisht një çështje kyçe. Por nuk duhet të harrojmë nxitjen e marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimin për sigurinë energjetike. Kam dëgjuar disa herë, duke përfshirë edhe në nivelet më të larta në Athinë, se nuk ka gjendje lufte midis dy vendeve.  Sipas këtij argumenti gjendja e luftës nuk ekziston më, ose siç shprehen disa kolege, ajo është “një relikt” e të shkuarës. Megjithatë, kjo relikë është ende prezente. Deri më sot Dekreti Mbretëror i 10 nëntorit 1940, i cili vendosi gjendjen e luftës me Shqipërinë nuk është shfuqizuar. Çuditërisht, një dekret i ngjashëm me Italinë është shfuqizuar nga Greqia disa vjet pas LIIB. Nuk mund të jemi miq dhe armiq në të njëjtën kohë. Kjo situatë është joproduktive, qesharake, dhe ka nevojë për zgjidhje të menjëhershme. Në qoftë se duam të hapim një faqe të re në marrëdhëniet tona, Dekreti Mbretëror i 1940s duhet të shfuqizohet, së bashku me efektet e tij. Para se të mund të ndërtojmë diçka të rëndësishme se bashku, duhet së pari t'i japim fund Luftës së Dytë Botërore./Ora News/