Kryeministri belg nuk jep bilanc nga sulmet: Ne i druheshim sulmeve dhe ato ndodhën

Ditë të zezë për Belgjikën e ka cilësuar kryeministri belg, Charles Michel, këtë të martë pas sulmeve terroriste që tronditën Brukselin.Kryeministri Michel tha gjatë një konference shtypi se Belgjika i druhej sulmeve të tilla dhe ato ndodhën. “Ne i druheshim sulmeve të tilla dhe ato ndodhën”, tha Michel në një konferencë shtypi. “Ka shumë njerëz të vdekur dhe shumë të plagosur”, shtoi ai, pa konfirmuar një numër zyrtar.Kryeministri ka shmangur shifrat për bilancin e viktimave dhe të të plagosurve në ngjarje.“Po përpiqemi të stabilizojmë situatën, por shqetësimi nuk ka përfunduar. Prioritet kemi trajtimin e të plagosurve në këto atentate, i kemi transportuar drejt spitaleve të ndryshme. Ka një numër viktimash dhe të plagosurish. E kemi çuar nivelin e sigurisë në nivelin katër, po marrim masa shtesë sigurie. Kemi përforcuar sigurinë në kufij dhe kontrollet në transportin publik. Është një ditë e zezë për vendin tonë deri në këto momente, është një tragjedi”.Michel apeloi qytetarët për qetësi dhe solidaritet.“U kërkoj të gjithëve të jemi të qetë po përballemi me një sprovë që duhet ta kalojmë. Duhet të jemi sëbashku, duhet të jemi solidarë. Do vazhdojmë të ndjekim situatën minutë pas minute, duke i pasur forcat e ndihmës së shpejtë dhe policisë në vendodhje. Jemi të vendosur, do ta mposhtim këtë rrezik”.