Hollande: Duhet plan ndërkombëtar kundër terrorizimit pa shkelur liritë

Presidenti i Francës, Francois Hollande tha të gjitha shtetet e botës duhet të angazhohet ndërkombëtarisht për të luftuar terrorizimin. Gjatë një konference shtypi pak më parë në Paris, ai tha se bashkohej me dhimbjen e familjarëve të viktimave në Bruksel, duke shtuar se të gjithë janë përballë një kërcënimi global.Hollande: Të gjitha mendimet tona shkojnë tek familjarët e viktimave dhe dhimbja ndahet me ta. E gjithë bota është e shqetësuar për këto sulme. Duhet të jemi të vetëdijshëm për rrezikshmërinë e lartë të sulmeve terroriste. Kjo sprovë në Bruksel vjen pas plagosjes serioze të Parisit në janar dhe në nëntor. Sot jemi përpara një kërcënimi global dhe kërkon përpjekje globale. Franca dhe Belgjika janë të lidhura dhe tani jemi të lidhura edhe nga dhimbja që ndajmë. Ne do të japim mbështetjen e domosdoshme.Ai deklaroi se duhet të ketë një plan ndërkombëtar kundër terrorizimit që të veprojë në Lindjen e Mesme, Siri dhe në Afrikë.Hollande: Lufta kundër terrorizmit duhet të përballohet nga e gjithë Evropa, në të gjitha mënyrat që duhen. Ne do të mbikëqyrim me vëmendje të gjitha vendimet dhe duhet të reagojmë në bazë të një plani ndërkombëtar, në Lindjen e Mesme, në Siri, në Afrikë. Të gjithë vendet duhet të përfshihen në këtë plan ndërkombëtar. Ne kishim marrë të gjitha masat e nevojshme. Kontrollet e kufijve, por edhe të pranisë së policisë dhe xhandarmërisë në të gjitha pikat e transportit, detar, ajror dhe hekurudhor.Për kreun e Shtetit të Francës, reagimi duhet të bëhet në gjakftohtësi pa shkelur dhe cenuar liritë dhe të drejtat e njeriut.Hollande: Ne duhet të reagojmë kundër terrorizimit me gjakftohtësi. Siç kemi bërë në Francë, që të jetë efikas, por edhe të respektojë liritë. Që na shërben për bashkimin tonë, dhe nuk flas vetëm për Bashkimin Evropian, por për të gjitha vendet që duan të veprojnë kundër terrorizimit. Në këtë periudhë duhet të jemi të bashkuar dhe në kohezion të plotë dhe solidarë. Dje ishte Franca, sot Belgjika. Jemi të shqetësuar dhe të rrezikuar.  Nëse nuk ka plane afatgjata, të qëndrueshme, duhet të sigurojmë që të gjitha masat janë marrë në Francë, por më gjerësisht edhe në Evropë. Dua të siguroj se Franca do të jetë në angazhim të plotë për çështjen e sigurisë./Ora News