Përmbytje në Serbi, shpallet gjendja e emergjencës për 11 komuna
Reshjet e shiut në Serbi si dhe dalja nga shtrati e disa lumenjve kryesorë ka bërë që qeveria të shpallë gjendjen e emergjencës në 11 rajone. Zonat e përmbytura janë vizituar edhe nga Kryeministri i Vendit, Aleksandar Vuçiç, i cili premtoi mbështetje nga ana e qeverisë. Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit theksoi se përmasat e përmbytjeve të këtij viti nuk janë të ngjashme me ato të vitit 2014, por tha se qeveria do të merrte të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar incidente të mundshme.Rreshjet e shiut në Serbi kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në shumë pjesë të vendit, teksa gjëndja e emergjencës është shpallur në 11 rajone. Shumë lumenj kryesorë kanë dalë nga shtrati duke vërshuar mbi shtëpitë e banorëve. Situata më problematike është paraqitur në fshatin Konjevici, ku më shumë se 420 persona janë evakuar.Me një situatë problematike janë përballur edhe banorët e Lucanit teksa në këtë bashki janë përmbytur edhe 500 hektarë tokë bujqësore. Kryeministri serb, Alexandër Vucic ka vizituar disa prej zonave të përmbytura, teksa ka premtuar ndihmë nga qeveria për të kompensuar një pjesë të dëmeve. Kreu i ekzekutivit deklaroi se banorët do të merrnin një ndihmë të konsiderueshme, por paralajmëroi se kostot nuk mund të rimbursohen në masën 100%. Vucic nënvizoi se nuk kishte ardhur për të dhënë premtime false.Vetëm dy vite më parë, Serbia përjetoi përmbytjet më të mëdha që kishin prekur vendin prej 120 vitesh. Sipas raportit zyrtar, dëmet e shkaktuara arritën në 1.53 miliardë euro, ndërkohë që humbën jetën edhe dhjetëra qytetarë. Kryeministri Vucic u shpreh se situata nuk është si dy vite më parë, por theksoi se qeveria do të bëjë të pamundurën për të parandaluar cdo incident të mundshëm.
/Oranews.tv/