“Shqipëria mbështetet tek Italia në gjirin e Bashkimit Evropian”
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka pritur në një takim nën/sekretarin e Shtetit pranë qeverisë italiane Sandro Gozi, me të cilin biseduan për ecurinë e prioriteteve të procesit të integrimit evropian dhe për bashkëpunimin dypalësh. Meta theksoi se Shqipëria mbështetet tek përkrahja italiane në gjirin e Bashkimit Evropian.Në këtë kuadër, Meta u shpreh se fokusi i aktivitetit parlamentar mbetet në përmbylljen sa më shpejt e me sukses të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, që i hapin rrugë reformimit të sistemit të drejtësisë.Në këtë kontekst u vlerësua opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias si dhe kontributi i misioneve EURALIUS dhe OPDAT përgjatë këtij procesi.Nën-Sekretari i Shtetit Gozi vlerësoi progresin e bërë prej Shqipërisë në avancimin me reformat e nevojshme madhore, të cilat kontribuojnë në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.Në këtë kuadër, ai theksoi se duke marrë në konsideratë miqësinë historike që ekziston mes dy popujve dhe nevojën për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, Italia mund të bëjë shumë për Shqipërinë dhe Shqipëria mund të bëjë gjithashtu shumë për Italinë.Në përfundim, Meta dhe Gozi biseduan mbi zhvillimet në rajon duke u ndalur specifikisht tek situata e krizës së refugjatëve, ku u nda bindja e përbashkët se kjo krizë e paprecedentë kërkon një përqasje të unifikuar dhe solidare evropiane./Ora News/