PD kallëzon kryebashkiakun Veliaj për tre vepra penale
Partia Demokratike ka bërë një kallëzim penal në Prokurori për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e akuzuar atë për tre vepra penale, si ajo e shpërdorimit të detyrës, shkeljen e barazisë në tendera publike apo mos marrjen e masave kundër paligjshmërisë.Akuza e demokratëve lidhet me koncesionin e parkingut tek Parku Rinia. Kryetarja e Departamentit Anti-korrupsion në PD, Lealba Pelinku dhe kreu i listës së këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës, Lonard Olli shpjeguan se pse kryenin këtë kallëzim.Olli: Ka mungesë totale të transparencës dhe informacionit të të vepruarit në një bunkerizim të plotë të Bashkisë së Tiranës. Sikundër jeni edhe ju në dijeni pavarësisht kërkesave të vijueshme me shkrim z.Velaj në mënyrë permanente refuzon të përgjigjet dhe të përmbushë një detyrim minimal ligjor sikundër është ai për pushtetin vendor, për të njoftuar këshilltarët në çdo kohë për gjithçka.Ai tha se i kishin kërkuar kryebashkiakut Veliaj më 20 tetor që të bënte transparencë për projektin, duke shtuar se për t’iu shmangur transparencës prej dy muajsh shmang mbledhjet e Këshillit Bashkiak.Olli: Tashmë z.Velaj për fat të keq është i kapur nga aferat korruptive sikundër është afera më e madhe e ndërhyrjes në paligjshmëri të plotë tek Liqeni Artificial, tek dhënia me koncesion e Parkingut. Në mungesë të plotë të informimit dhe dokumentacionit zyrtar, çka do të përbëjë edhe një tjetër padi penale për z.Veliaj për shpërdorim detyre, sepse jemi në kushtet e shpërdorimit të detyrës, ne jemi përpjekur që të sigurojmë informacionin e nevojshëm për të patur një kallëzim penal konform parametrave që kërkon ligji./Ora News/