Portalet online do ç'aktivizojnë komentet raciste brenda 48 orësh

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito nis sot konsultimet publike lidhur me ndryshimet në ligjin "Për Tregëtinë Elektronike". Ligji që mban nr. 10 128, DATË 11.5.2009 edhe pse është në fuqi prej 7 vitesh, njihet pak, ndërkohë që ka pasur vështirësi në zbatimin në praktikë.Ndryshimet e propozuara me projekt-ligjin e paraqitur së fundmi synojnë:1. Ndryshimin e titullit, duke qartësuar se ky nuk është thjesht një ligj për tregtinë elektronike po për shërbimet e shoqërisë së informacionit;2. Qartësimin e detyrimit të portaleve online (ofruesit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit) për të pasur një pikë kontakti të identifikuar;3. Vendosjen e rubrikës së raportimit për lajmet apo komentet me përmbajtje të paligjshme, në të cilin lexuesit e portalit mund të sinjalizojnë për materiale apo komente me përmbajtje të jashtëligjshme.4. Vendosjen e një afati 48 orësh brenda së cilës portalet duhet të bëjnë ç'aktivizimin e komenteve me përmbajtje të paligjshme, raciste, ksenofobe etj, nga momenti që ato marrin dijeni sipas përcaktimeve të Kodit Penal dhe atij Civil.5. Përcaktimin e organeve mbikqyrëse të zbatimit të këtij ligji, që në kohën kur ai ishte miratuar në vitin 2009 nuk ekzistonin, si ALCIRT, sektori i krimit kibernetik në polici etj.Në këtë konsultim kanë marrë pjesë drejtues dhe përfaqësues të portaleve informative, aktiviteti i të cilave, si ofrues të shërbimeve të shoqërisë së informacionit, rregullohet nga ligji aktual, i cili është miratuar në vitin 2009.Ligji nr. 10128, datë 11.5.2009 "Për tregtinë elektronike" i ndryshuar, ka transpozuar Direktivën Nr. 2000/31/KE, "Mbi disa aspekte ligjore të shërbimeve të Shoqërisë së Informacionit, veçanërisht mbi tregtinë elektronike në tregun e brendshëm" e njohur si Direktiva për Tregtinë elektronike.Kërkesa për përafrimin e legjislacionit në këtë fushë është pjesë e angazhimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit, marrëveshja e stabilizim-asocimit./Oranews.tv/