Ismet Beqiri: Veturën ma dogjën "Millosheviçët e vegjël", duhet të ndalen
Mëngjesi i parë i kësaj jave nuk nisi mbarë për shefin e grupit parlamentarë të LDK-së, Ismet Beqiri. Ende pa zbardhur mirë dita, atij iu dogj vetura zyrtare, pronë e LDK-së, që ndodhej e parkuar para banesës së tij në qendër të Prishtinës.Beqiri tha se këto akte duhet të ndalen dhe personat përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë, përderisa kryesit e këtyre veprave ai i quajti “Millosheviqët e vegjël”.“Ata duhet me u ndal, bashkë me urdhërdhënësit e tyre. Edhe njëherë po e them që të gjithë këta do duhej me dal para organeve të drejtësisë, e kush janë këta, unë po besoj që o sot o në të ardhmen e afërt kanë me u zbuluar sepse po rrezikojnë interesat e vendit, po i rrezikojnë qytetarët, po rrezikohet institucioni publik, prona private, dhe kjo është sigurisht shenjë e keqe mirëpo jo shenjë që ne duhet të na kaploj dëshpërimi. Këtë kënaqësi nuk do të ua ofrojmë sepse kemi kaluar sfida shumë më të rënda edhe në kohën më vjen keq me thënë, në kohën e Millosheviqit. Por edhe këto janë të Millosheviqave të vegjël, këta që po i bëjnë këto, e unë po i tregoj që e kanë të kotë sepse kemi punuar shumë që t’i kemi këto institucione dhe nuk mund të dëmtohen interesat e vendit në këtë mënyrë, sepse fundi u fundit unë përfaqësoj një ndër njerëzit që kemi ba ose po bëjmë diçka në të mirë të vendit” tha Beqiri.I revoltuar nga ngjarja, i pari i LDK-së në Kuvend tha për KosovaPress se djegia e veturës, që është në pronësi të Lidhjes Demokratike të Kosovës me koktej molotovi, është vazhdimësi e akteve kriminale të bëra nga banditë që rrezikojnë jetën e qytetarëve.Një nga figurat më të njohura të LDK-së deklaroi se ai nuk ka asgjë personale me dikë që do të mund ta fajësonte për aktin e bërë këtë mëngjes.Beqiri tha se të tilla veprime po i bëjnë njerëzit që nuk ia duan të mirën vendit, ndërkohë që dha mesazhin se të tilla akte nuk do të mund të ndalin ndërtimin e mbarë të Kosovës.Ai tha se këta persona sa më parë duhet të dalin para organeve të drejtësisë, bashkë me urdhërdhënësit e tyre.“Mendoj që adresat gradualisht duhet me ua gjet sepse është shumë e qartë se ata që po përdorin molotov në forma të ndryshme, po dëmtojnë vendin, po i dëmtojnë interesat e vendit dhe normalisht që mua më dhimbset se edhe kjo makinë është blerë me para të taksapaguesve, ka qenë dhe është pronë e një partie politike, e një grupi parlamentarë. Sidoqoftë nëse ka vullnet dhe gatishmëri unë besoj që nuk kanë me pas vështirë me gjet kush janë këta banditë dhe kush janë urdhërdhënësit e tyre sepse unë jam i bindur se këta nuk e bëjnë kokë në veti. Ky është një organizim i veçantë që po i bënë këto. Për të tjerat është policia që duhet me zbardhë rastin”, tha Beqiri për KosovaPress.