8 muaj pa paga, naftëtarët: S’kemi bukë të hamë, po heqim nga shkolla fëmijët
Dhjetëra naftëtarë të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh kanë protestuar sërish para Prefekturës së Fierit, duke kërkuar marrjen e pagesave të prapambetura dhe rivënien në punë të KPTHN-së. Naftëtarët thonë se gjendja e tyre ekonomike është aq e dobët sa janë detyruar të marrin kredi për t'u ushqyer.Dhjetëra punëtorë të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh, kanë protestuar për të dytën ditë me radhë para Prefekturës së Fierit për mosmarrjen e pagave prej më shumë se tetë muajsh.Naftëtarët thonë se dëmi nga mosmarrja e pagave mujore në ekonomitë familjare është aq i madh sa kanë hequr edhe fëmijët nga shkollat.Punëtori: Nuk do t’ia dijë njeri fare që rrojmë apo nuk rrojmë. Atje punojnë 1000 burra dhe gra, llogarite sa njerëz kanë mbrapa ata që duan të hanë dhe ushqehen. Këtu bëhet luftë për mbijetesë, që nga muaji korrik që nuk kemi marrë lekët tona. S’kemi bukë të hamë.Punëtori: Çuni im ka lënë shkollën se nuk kam lekë ta çoj në shkollë. Kjo nuk është e drejtë. Nuk kemi lekë më, mbaruam. Në rast se nuk zgjidhet kjo punë sa më shpejt do i përshkallëzojmë ndryshe këto punë.Punëtori: Këta punëtorë kanë 40 vjet në atë ndërmarrje, janë të gjithë familjarë që mbajnë fëmijët në shkollë dhe gjithandej. Shumë familje janë detyruar të heqin fëmijët nga shkolla këto 8 muaj, edhe unë po mendohem të tërheq fëmijët nga shkolla se jam zhytur në borxhe.Shumë prej punëtorëve të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh thonë se janë detyruar të marrin kredi për të plotësuar nevojat bazike të familjes.