Koretë, Park: Ribashkimi është i mundshëm
E ardhmja e gadishullit korean varet nga përfshirja e SHBA-ve në procesin e paqes, tha presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye në një fjalim para Kongresit, të mërkurën.Park tha se, pavarësisht tensioneve të fundit me Korenë e Veriut komunist, ribashkimi i Koreve është i mundshëm, edhe pse kjo gjë “duket e largët sot”.“Veriu vazhdon të lëshojë kërcënime dhe provokime, duke lëshuar raketa me rreze të gjatë veprimi, duke zhvilluar teste bërthamore dhe duke minuar paqen në gadishull, madje edhe përtej tij. Qeveria koreane ka reaguar me vendosmëri dhe me qetësi. Megjithatë, ne ruajmë nivele të larta gadishmërie. Dhe, për sa kohë që SHBA-të dhe Korea e Jugut ruajnë marrëdhëniet e forta mes tyre, mund të qëndroni të sigurt, asnjë provokim i koreano-veriorëve nuk mund të ketë sukses” tha Park.Që prej fundit të marsit dhe gjithë muajit prill, Korea e Veriut përshkallëzoi tensionet me SHBA-të dhe Jugun, duke lëshuar dhjetra deklarata armiqësore, ku paralajmëronte edhe luftë bërthamore me Jugun.Së fundi, tensionet kanë filluar të ulen, pas faktit që, sipas zyrtarëve amerikanë, Veriu ka tërhequr dy raketa balistike të lëvizshme nga vendi i lëshimit në pjesën lindore të vendit.