Pakistan, Sharif: Do t`i japim fund luftës anti-terroriste

Personi, që pritet të bëhet kryeministri i ardhshëm i Pakistanit, Nawaz Sharif, premtoi se do t’i jepte fund përfshirjes së vendit në luftën e udhëhequr nga SHBA-të kundër terrorit, nëse fitonte.Sharif tha se kjo lëvizje ishte e domosdoshme për vendin, në mënyrë që të rikthehet paqja në Pakistan dhe në shumë vende të botës. Pakistani ka qenë pjesë e luftimeve pro amerikane kundër militantëve islamikë në rajon, që prej sulmeve të 11 shtatorit.Votuesit në Pakistan do t’i drejtohen kutive të votimit më 11 maj, pas një periudhe para-zgjedhore të penguar nga dhuna. Kjo është hera e parë në historinë e vendit, që një qeveri e zgjedhur do t’ia delegojë pushtetin një tjetër qeverije të zgjedhur.Deklaratat e Sharif, lider i Ligës Muslimane të Pakistanit (PML-N), mund të shkaktojë shqetësime mes liderëve Perëndimorë, raportohet nga Islamabadi.Ata frikësohen se kjo lëvizje mund të nxisë militantët të kenë më shumë liri për të operuar në Pakistan, teksa trupat e huaja priten të tërhiqen nga Afganistani në 2014-n.Një nga pyetjet kryesore për Perëndimin është se si do t’i përballojë kryeministri i ri i Pakistanit militantët në vendin e tij. I pyetur nëse do ta nxirrte Pakistanin jashtë luftës kundër terroristëve, Sharif tha: “Po, do ta bëjmë”. Por, ai refuzoi të thoshte nëse do të ndalonte operacionet ushtarake kundër talebanëve dhe al-Qaeda-s. “Kjo është një cështje detajesh”, shtoi ai.Manjati biznesmen, i cili ka shërbyer si kryeministër i Pakistanit dy herë gjatë viteve 1990, tha se dëshiron të punojë me vendet e tjera për të gjetur një marrëveshje për paqe afatgjatë në rajon. Ndërkohë, përpara zgjedhjeve, ka pasur të tjera raste dhune gjatë të mërkurës.Të paktën 3 persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën, përfshi 6 policë, në një atentat vetvrasës me bombë jashtë stacionit të policisë, në rajonin Bannu, në Pakistanin veri-perëndimor.