Kandidati republikan Cruz ndal vrullin e Donald Trump
Kandidati republikan për president në SHBA, Donald Trump ka kërkuar një përballje mes tij dhe Ted Cruz në garën brenda partisë, duke u bërë thirrje rivalëve të tjerë të tërhiqen nga fushata.Edhe senatori Cruz ka bërë të njëjtin apel duke u shprehur se ka ardhur koha që Marco Rubio dhe John Kasich të linin garën.Trump dhe Cruz fituan nga dy shtete secili në votimet e së shtunës. Duke folur pas fitores në Kentaki dhe Luiziana, miliarderi Trump tha se do të preferonte të vazhdonte përballjen vetëm me Ted Cruz. "Marco Rubio kaloi një natë të vështirë dhe personalisht i bëj thirrje të lërë garën”, tha Trump.Ndërkohë senatori i Teksasit Ted Cruz që fitoi në Kansas dhe Mejn, u shpreh se tashmë lufta po zhvillohet mes tij dhe Trump.Ndërkohë mes demokratëve gara vijon të jetë e ngushtë mes senatorit Bernie Sanders dhe Hilary Clinton. Sanders fitoi dy shtete të tjera të shtunën, ndërsa ish-sekretarja amerikane e shtetit triumfoi në Luiziana.Sipas analistëve, fitorja e Clinton në Luiziana është shumë e rëndësishme pasi faktoi se Sanders nuk gëzon mbështetjen e votuesve Afrikano-amerikanë, që përbëjnë një përqindje të konsiderueshme në SHBA.Ndërkohë kjo përballje po shoqërohet edhe me tensione, pasi mbështetësit e Sanders akuzojnë ish-Presidentin Clinton se ka bërë fushatë për bashkëshorten e tij shumë afër vendvotimeve madje edhe brenda tyre.Përmes një peticioni të firmosur nga rreth 95,000 persona, mbështetësit e Sanders po kërkojnë arrestimin e Clinton me akuzën se ka shkelur ligjet e fushatës presidenciale. /Ora News/