Qeveria 'ok' kredisë për bulevardin e Lanën. Berisha: Partitë të mbulojnë shpenzimet për fushatën

Përballë presionit të kohës së limituar të parlamentit, kabineti qeveritar në mbledhjen e së mërkurës me akt normativ ka dekretuar kredinë e marrë nga Emiratet e Bashkuara Arabe për nisjen e punimeve të bulevardit të ri të kryeqytetit dhe rehabilitimin e lumit të Lanës. Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij e konsideroi ndërtimin e këtij projekti si zhvillimin më të rëndësishëm të 80-90 viteve të fundit për Tiranën dhe qytetarët e saj.“Për efekte të veprimtarisë së parlamentit me akt normativ u dekretua kredia e Emirateve të Bashkuara Arabe prej 64 mln dollarë me interes të butë, të leverdishëm shumë, për Tiranën e këtij shekulli, bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës. Përdorëm aktin normativ për kohën shumë të ngushtë që kemi. Falenderoj Presidentin, Kryeministrin dhe Qeverinë e Emirateve të Bashkuara për gadishmërinë dhe shpejtësinë që proceduan për dhënien e kredisë. Me të do ndërtohet gjysma e bulevardit që pret të ndërtohet që nga themelimi i Tiranës moderne, pasi ka ekzistuar në projektet e saj. Lumi i Tiranës, një lum që është përdorur për cdo gjë tjetër, por jo për interesat e qytetarëve do shndërrohet në një nga zonat më kreative. Së shpejti fillon lëvizja e shtyllave të tensionit për tu hapur rrugë fillimit të punimeve, do jetë pak më i gjerë se ekzistuesi, me një sipërfaqe jeshile, ndërtesa moderne dhe lumi do ketë sistemim të shkëlqyer. Lumi me një shpenzim minimal, me një digë që do të ndërtohet mund të krijojë një liqen që e bën në cdo kohë të lundrueshëm për varkat e vogla. E shndërron atë edhe në një zonë me përdorime të shumëllojtë. Këto 64 mln dollarë janë të gjitha të përkushtuara për bulevardin e ri dhe sistemimin e lumit të Tiranës, çka përbën zhvillimin më të rëndësishëm në 80-90 vitet e fundit” tha ai.Si për të qetësuar rivalin e tij politik Edi Rama, apo për tu larguar nga akuzat e tij, Berisha deklaroi se me nisjen zyrtare të fushatës elektorale, duhet të hyjë në fuqi urdhri që ndalon administratën të përdorë mjetet publike në fushatë. Në këtë kontekst ai qartësoi se partitë politike duhet të marrin përsipër shpenzimet e tyre që ditën e parë të fushatës zyrtare.“Z.Sekretar i Përgjithshëm ora e fushatës elektorale po afron, duhet të sjellësh urdhrin e kryeministrit që ndalon për të gjithë punonjësit e administratës, duke filluar nga kryeministri që të përdorë mjetet publike në fushatë elektorale, ky është rregulli standard që e kemi vendosur ne. Unë e kuptoj që rivali im që vrapon për të gjetur një gropë në rrugë dhe për të faktuar se nuk janë ndërtuar rrugë, por nga ana tjetër shpall se kryeministrit po udhëton me helikopter, kur më sheh sa në një kend në një tjetër, atëhere unë do shpall vendimin e prerë, se asnjë qeveritar vendor, asnjë zyrtar i administratës nuk do përdorë mjetet publike për fushatë elektorale. Partitë të marrin përsipër që ditën e tyre të fushatës zyrtare, sidomos udhëhequr dhe nga fakti se qeveria disponon më shumë mjete për shkak të funksioneve zyrtare dhe ato nuk do përdoren për fushatë elektorale”- deklaroi Berisha.

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të radhës nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe situatën ekonomike, ku Berisha duke iu referuar mediave ekonomike botërore tha se eksportet janë rritur me 17% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa inflacioni ka regjistruar rënie.

“Sot mediat ekonomike botërore  thanë për Shqipërinë se eksportet janë rritur me 17% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa inflacioni ka regjistruar rënie. E vërteta është se motorët e ekonomisë shqiptare po funksionojnë me tendence për të marrë shpejtësi të reja. Treguesit terësor janë qartësisht më mirë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe me një prespektivë progresive të tyre, cka tregon se reformat kanë qenë dhe janë mbrojtëse. Seria e dytë që u ndërmorën gjatë muajve të fundit nuk kanë dhënë ende efekt, përkundrazi sjell pakësim në buxhet, megjithatë i garantoj pensionistët dhe punonjësit e administratës se nuk do ketë ndryshim  në qëndrimin tonë për të mbajtur premtimet tona për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Është një politikë konstante e kësaj qeverie, do ndodhë çdo vit sakohë qytetarët shqiptarët do votojnë PD dhe qeverinë e saj. Ne qëndrojmë pas zotimeve tona” tha më tej Kryeministri.

Kreu i qeverisë ka ndarë me Ministrat e kabinetit të tij, por dhe me publikun e gjerë lajmin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën Iniciativa për Transparencën e Industrive Nxjerrëse (EITI), e cila kryesohet  nga Clare Short.

Zotërinj ministra, ka dhe një lajm tjetër pozitiv për Shqipërinë. Presidentja e iniciativës së transparencës financiare të industrive nxjerrëse, iniciativë kjo e themeluar nga Toni Bler dhe ku bëjnë pjesë një grup i vendeve të pasura në miniera dhe lëndë nëntokësore, iniciativë kjo që bazohet në disa principe themelorë që duhen respektuar dhe në këto principe është transparenca financiare, bashkëpunimi i ngushtë me komunitetin dhe respektimi dhe mbrojtja  e mjedisit.Kjo organizatë që u krijua në kombet e bashkuara ndihmon vendet anëtare, sikundër kërkon nga këto vende respektimin e disa kushteve dhe kritereve,  që janë standardet më të mira të shfrytëzimit të mineraleve, të naftës dhe të gazit dhe përpjekjes që banorët e zonave të jenë edhe ata përfitues të tyre sikundër të ketë transparencë të plotë të kompanive që i shfrytëzojnë. Kjo është një histori disavjecare.

Në vitin 2010 është bërë vlerësimi i parë, ne kemi ngritur sekretariatin dhe një grup pune për të cilën zonja ish ministre në kabinetin e ish kryeministrit Bler dhe kryeministrit  Gordon Broën , e cila e kryeson këtë iniciativë, shpreh vlerësimin më të  lartë për grupin e punës në Shqipëri, punën serioze që ata kanë bërë ndërkohë që informon se bordi ka vendosur ti akordojë Shqipërisë anëtarësi të plotë në këtë iniciativë, sikundër paraqet një seri çështjesh që Shqipëria duhet ti ketë në qendër të vëmendjes për vitet që vijnë, pasi anëtarësimi nuk është i dhënë njëherë e përgjithmonë. Anëtarësimi në këtë organizatë mbahet vetëm duke mbajtur standardet e transparencës. Lufta që është bërë kundër korrupsioni, përdorimi i një sërë metodash që rrisin transparencën  bënë që Shqipëria të rekomandohet për anëtar në iniciativën e transparencës së industrive nxjerrëse" përfundoi Berisha.