Gjendja dëshpëruese e emigrantëve nën shi
Emigrantët e bllokuar në kufirin greko maqedonas kaluan një tjetër natë të vështirë për shkak të reshjeve të shiut.Kushtet e vështira atmosferike e kanë vështirësuar së tepërmi udhëtimin e refugjatëve drejt Evropës Perëndimore, teksa shumë prej tyre kanë edhe komplikacione shëndetësore. Pothuajse nga të gjitha çadrat e kampingut mund të dëgjosh të kollitura. Veshjet dhe mbulesat u lagën të gjitha ndaj fjetja gjatë natës ishte një mision i pamundur. Në fytyrat e emigrantëve dallohet qartë zhgënjimi dhe mërzitja.Intisar është një nënë nëntëmuajshe shtatzënë. Ajo vjen nga Siria dhe thotë se situata është vështirësuar së tepërmi."Gjithçka është mbuluar nga uji. Çadra jonë është e mbushur me ujë dhe jemi shtatë persona. Është ftohtë dhe rrobat tona janë të lagura. Nuk kemi një vend ku të qëndrojmë, janë fjalët e saj."Ndërkohë, Sulejmani, i cili është gjithashtu një emigrant sirian, thotë se ka temperaturë dhe se djali i tij është i sëmurë."Uji është futur në çadrat tona. Është shumë ftohtë dhe unë kam temperaturë. Gruaja nuk është mirë dhe djali im i vogël është gjithashtu i sëmurë."Megjithatë, disa prej emigrantëve arrijnë të gjejnë forcë për të buzëqeshur pavarësisht situatës së vështirë.
"Mund të notosh dhe mund të flesh në të njëjtën kohë", thotë me nota humori ky djalë që quhet Taha.Aktualisht në këtë kamp që ndodhet në Idomeni po qëndrojnë përkohësisht 12.000 emigrantë. Kjo është një shifër tepër e lartë duke gjykuar se kampi fillimisht ishte projektuar që të strehonte një maksimum prej afro 2.500 azilkërkuesish.Autoritetet bëjnë me dije se brenda pak orëve në kamp do të mbërrijnë edhe 500 refugjatë të tjerë. Organizatat humanitare kanë dhënë alarmin se ndihmat, ushqimi dhe medikamentet janë drejt fundit për shkak të bllokimit të kufirit nga ana e qeverisë maqedonase.Kriza mund të thellohet edhe më tej në kushtet kur në ishujt grekë dhe në portin e pireut vijojnë të mbërrijnë cdo ditë mijëra emigrantë. Sipas raportimeve zyrtare, aktualisht në territorin grekë ndodhën të paktën 30.000 azil-kërkues./Ora News/