Abuzimet e UKT, kryebashkiaku Veliaj: Asnjë nuk do të paguajë padrejtësisht
Bashkia e Tiranës e cila ka edhe shumicën e aksioneve në Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, pritet ti drejtohet javën e ardhshme Asamblesë lidhur me çështje e mbifaturimit të qytetarëve për ujin e pijshëm në kryeqytet.Në një reagim pas protestës së banorëve të Kombinatit, kryebashkiaku Veliaj ka garantuar se asnjë qytetar nuk do të paguajë asnjë qindarkë padrejtësisht.Veliaj: "Kam ndjekur me shqetësim reagimet e shumta të qytetarëve për mbifaturimet e ujit të pijshem në muajin Janar dhe kam ngritur prej disa ditësh një grup verifikimesh për të katër zonat ku janë hasur problemet. Dua t'i siguroj të gjithë se asnjë rast i verifikuar mbifaturimi nuk do të mbetet pa u anulluar dhe asnjë familje e Tiranës nuk do të paguajë padrejtësisht asnjë qindarkë.Ditën e hënë do të kemi një pamje të plotë e të qartë të situatës dhe padyshim do të nxjerrim edhe përgjegjësitë e duhura për shqetësimin që u është shkaktuar qytetarëve. Për këtë, kam njoftuar që mbrëmë aksionerët e UKT për mbledhjen e Asamblesë në fillim të javës që vjen, ashtu siç e kërkon procedura ligjore”.Sipas Veliaj, vendosja e rendit ligjor në shfrytëzimin e ujit të pijshëm është një domosdoshmëri jetike.Veliaj: Ujësjellësin e kemi gjetur në kushtet e një rrjeti të amortizuar nëntokë, por më keq akoma, të një rrjeti hajdutërie të pashembullt mbi tokë të pasurisë sonë të përbashkët. Ndaj dhe vendosja e rendit ligjor në shfrytëzimin e ujit të pijshëm është një domosdoshmëri jetike. Por, emergjenca e imponuar nga e shkuara, nuk mund të jetë kurrsesi justifikim për të mbifaturuar familjet tona. Kjo është e papranueshme dhe unë nuk do ta toleroj në asnjë mënyrë. Çdo mbifaturim do të anullohet dhe çdo fajtor do të mbajë përgjegjësi. Ndjesë kujtdo që i është shkaktuar ky shqetësim."UKT është një ndërmarrje aksionere mes Bashkive Tiranë, Vorë, Kamëz si dhe të ish-Komunave. Bashkia e Tiranës ka shumicën e aksioneve të kompanisë.