Meta pret homologun maltez: Reforma në drejtësi ju bën më të besueshëm
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta priti Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Maltës, Angelo Farrugia, në kuadër të punimeve të sesionit plenar të 10-të të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut.Meta e falenderoi z. Farrugia dhe delegacionin e nderuar parlamentar maltez për ardhjen në Tiranë dhe për kontributin e tyre në mbarëvajtjen dhe punimet e Asamblesë Parlamentare të Mesdheut, që këtë vit feston 10-vjetorin e saj.Kryetari i Kuvendit Meta vuri në dukje se duke marrë në konsideratë ngjashmëritë gjeografike dhe njerëzore, si dhe ndjenjat e miqësisë reciproke mes dy popujve tanë, Shqipëria dhe Malta duhet ta rrisin bashkëpunimin e tyre në një stad tjetër shumë më dinamik.Në këtë drejtim u ra dakord për intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar në shërbim të cilësisë së marrëdhënieve dypalëshe.Meta: Të dyja vendet tona kanë një vendosmëri të fuqishme për t’i çuar përpara marrëdhëniet tona dhe jemi shumë më të qartë për të gjitha drejtimet konkrete ku duhet të ecim, sepse Malta është një vend mjaft i zhvilluar dhe përfaqëson për ne një shembull shumë të mirë për të përfituar sidomos eksperiencë dhe mbështetje në shumë drejtime të rëndësishme që janë thelbësore për një zhvillim më të shpejtë të vendit, për një rritje më të qëndrueshme ekonomike, sidomos përsa i takon zhvillimit të turizmit, përsa i takon shërbimeve financiare, por edhe vetë procesit të integrimit evropian ku mund të përfitojmë shumë më tepër nga eksperienca malteze. Për të gjitha këto arsye do të kemi mundësi ta vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen, edhe në Valletta, edhe në Tiranë, dhe do ta shkurtojmë gjithnjë e më shumë distancën midis dy vendeve tona.Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Maltës, Angelo Farrugia, shprehu kënaqësinë e vizitës së tij në Tiranë dhe rikonfirmoi vullnetin e Maltës për forcimin e bashkëpunimit, veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve turistike, shërbimeve financiar dhe arsimit.Gjithashtu, Farrugia shprehu mbështetjen e plotë të Maltës përgjatë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke e siguruar zotin.Meta se Shqipëria ka një aleat solid brenda familjes së Bashkimit Evropian. Farrugia: Mezi presim të nisim bashkëpunimin në fusha ku ne jemi të zhvilluar, siç është turizmi, facilitetet portale, pasi edhe ju keni porte të rëndësishme, teknologjia, shërbimet bankare, ku ju jeni duke aktualizuar edhe ligjet në fuqi. Vlerësojmë shumë reformat që keni ndërmarrë, veçanërisht atë në sistemin e drejtësisë, për të siguruar më shumë transparencë, gjë që ju bën të jeni më të besueshëm jashtë kufijve.Ne do të jemi kurdoherë gati t’ju mbështesim me asistencën tonë në rrugën tuaj drejt integrimit të plotë në Bashkimit Europian.Dua t’ju siguroj se edhe sa i përket investimeve, Shqipëria duhet të jetë një vend tërheqës për biznesin maltez, por ne duhet të organizojmë gjithçka që t’ia bëjmë më të lehtë. 