Tentoi të trafikonte 13.5 kg kanabis drejt Greqisë, kërkohet 5.4 vjet burg për fierakun
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 5 vjet e 4 muaj burg shtetasin Elton Çako i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike.Çako u arrestua me 29 mars 2015 në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës,teksa po tentonte të kalonte 13.5 kg kanabis nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Lënda narkotike iu gjet e fshehur në mjetin me të cilin udhëtonte me gruan dhe dy fëmijët.Organi i akuzës fillimisht kërkoi dënimin e tij me 8 vite burg, por duke qenë se gjykimi ndaj tij është zhvilluar me proçedurë të përshpejtuar Prokuroria kërkon dënimin e tij me 5 vjet e 4 muaj.Pas arrestimit, i pandehuri ka dhënë një version të dyshimtë mbi sigurimin e lëndës narkotike, por gjithsesi nga hetimet nuk u arrit të provoheshin se kush ishin bashkëpunëtorët e tij.Gjatë hetimit, i pandehuri u shpreh se një ditë para se të arrestohej, ai ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij. Në një moment, një mjeti para tij i ka rënë një çantë sportive.Ai ka ndaluar mjetin, ka marrë çantën dhe ka ndjekur mjetin, të cilit i kishte rënë çanta.Por, pasi nuk e kishte arritur, i pandehuri kishte konstatuar se në çantë ndodhej lëndë narkotike.Meqenëse një ditë më pas do të nisej në Greqi për shkak të një vizite mjekësore të bashkëshortes, ka menduar ta kalojë në Greqi për ta shitur dhe për të fituar ndonjë të ardhur.Pavarësisht se sqarimi i faktit sesi e ka siguruar lëndën narkotike nuk ka qenë bindës, hetimet nuk arritën të identifikonin bashkëpunëtorë të mundshëm të tij.