Karnavale me paradë kostumesh dhe maskash shumëngjyrëshe

Karnavalet e Shkodrës kanë nxjerrë në rrugë për të festuar të rinj dhe të reja. Të veshur dhe maskuar me kostume shumëngjyrëshe parada ka përfshirë çdo rrugë dhe lagje të qytetit.Reshjet e shiut nuk i kanë penguar shkodranët të festojnë "Karnevalet 2016", një nga festat tradicionale të këtij qyteti. Nën kostumet dhe maskat shumëngjyreshe, të rinjtë dhe të rejat e Shkodrës së bashku me trupën e aktorëve të teatrit "Migjeni", nisën festimet me parakalimin në rrugët e qytetit, duke filluar nga Kisha Françeskane, për të përshkuar më pas zonën muzeale, disa lagje, deri në sheshin përpara bashkisë.Siç është simbolika e kësaj feste, shkodranët nuk kursyen thumbimet kryesisht për politikën dhe paradokset që sipas tyre kanë përfshirë vendin tonë.Pas përformancave artistike të nxënësve të shkollave, grupeve të të rinjve dhe bandës frymore të qytetit, në mbyllje u dogj “dordoleci”, simbol i së keqes e që shënon nisjen e një periudhe të re, që shpresohet të jetë më e mirë se ajo që shkodranët lanë pas.E nisur që në vitin 1860, sot festa e karnavaleve ka krijuar profilin e saj duke u shndërruar ndër me të dashurat për qytetarët e Shkodrës.