Profesionet e lira, ekspertët: Goditet biznesi për të mbushur arkën e shtetit
Vendimi i qeverisë për të trefishuar sigurimet shoqërore për profesionet e lira konsiderohet si një mënyrë për të mbushur arkën e shtetit, teksa goditen fortë bizneset. Ekspertët argumentojnë se formula e gjetur nga qeveria është e vështirë jo vetëm për t'u zbatuar, por dhe për t'u kontrolluar nga tatimet, pasi bazohet mbi shumë kritere, teksa bie ndesh edhe me parimin e barazisë.Përcaktimi i sigurimeve shoqërore për profesionet e lira në bazë tëpagave të referencës të vendosur nga qeveria dhe 7 kritereve të tjera shtesë konsiderohet nga përfaqësuesit e këtyre aktiviteve si një nismë për të mbushur buxhetin, që do të ketë pasoja të rënda për këto biznese.Bujar Bendo: “Kjo është kinezëri. Qëllimi ka qënë gjithmonë të marrim më shumë të ardhura. Janë ndarë bashkitë sipas kategorive. Ka dalë dhe lista e profesioneve dhe është vendosur paga që duhet të ketë një profesion. Fillojmë pastaj dhe hyjnë në lojë 7 kritere të tjera.Pra kur ke filluar aktivitetin , çfarë aktiviteti ke, sa të punësuar ke, sa vite pune ke. Një aktivitet, supozojmë avokat, noter,ekspert apo inxhinjer që ka 2 vjet apo 4 vjet në treg, më parë ka paguar 6500 lekë në muaj kontribute tashmë në qoftë se ndodhet në Tiranë është i detyruar që të paguajë 20600.”Sipas Bendos, nga kjo nismë do të goditen kryesisht profesionet e lira që sigurojnë të ardhura të pakta.Bujar Bendo: “Preken të gjithë papërjashtim por më shumë do të preken ata individë të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme në kohën kur ne po diskutojmë që taksimi është progresiv, në bazë të të ardhurave që unë marr unë duhet të paguaj, nuk kam pse të paguaj kosto të tjera shtesë.Ky është një modifikim, një gjetje që paguhen disa lekë të tjera. Gjithësekush e di vetë skemën e pensioneve dhe e ka vetë parasysh se çfarë derdh.Ligji nuk detyron të tjerët. Pse duhet të detyrojë profesionet? Ligji është i barabartë dhe është një për të gjithë."Përballë trefishimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore për profesionet e lira, Dhoma Kombëtare e Avokatëve ka marrë vendim për bujkotim të të gjitha seancave gjyqësore të hënën përveç masave personale të sigurisë, ndërkohë që Ministri i Drejtësisë, Manjani ka apeluar për tërheqje nga ky vendim. /Oranews.tv/