Statusi, Islami: PS duhet të kalojë me urgjencë 3 ligjet
Partia Socialiste duhet me urgjencë të tejkalojë sindromin e bllokimit të proçesit të integrimit të vendit dhe të kalojë në kohë tre prioritetet e BE, të diktuara nga KE. Ky ka qenë apeli drejtuar partisë së majtë më të madhe në vend nga një ish anëtar i saj, aktualisht deputet në parlamentin e Shqipërisë, Kastriot Islami.Në intervistën e orës 20:00, Islami në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj e ka konsideruar të patolerueshme kushtëzimin e tre ligjeve për integrimin me cështjen e qarkut të Fierit, edhe në rastin e supozimit që mund të ketë një të drejtë nga ana e PS në ngritjen e kësaj cështje. Në këtë kontekst cdo veprim i zvarritur nga ana e PS për kalimin e tre prioriteteve për Islamin do të ishte një kosto për këtë parti, ku në rastin më të mirë në kalimin e tyre në një moment të fundit do t`ja humbte bashkautorësinë e suksesit, ndërsa në rast rezistence përfundimtare do kalonte mbi këtë forcë politike një përgjegjësi jashtë asaj cfarë mund të mbajë mbi supe, si nga ana e elektoratit shqiptar ashtu edhe në imazhin e PS në sytë e ndërkombëtarëve.“Është një moment i rëndësishëm, shpreh një ëndërr shekullore të shqiptarëve për tu bërë pjesë e Europës, është një nga vendet që ka mbështetjen më të madhe dhe ka ngecur në tre ligje. KE është artikuluar shumë qartë se për tu bërë anëtare e BE duhet ti kalojnë këto ligje, është pjesë e bashkëpunimit që ka mazhoranca me opozitën, s`duhet të kiShte asnjë kushtëzim, packa se kush ka të drejtë për një x apo y cështje. Janë vetëm tre ligje dhe I takon opozitës të hedhë hapin dhe mos ta kushtëzojë me qarkun e Fierit, kjo është një cështje e komplikuar. Supozojmë se opozita ka të drejtë, por kjo se justifikon bllokimin e integrimit. Rama është munduar të ndërkombëtarizojë cështjen duke bllokuar, nuk është ky momenti. Kjo ka dy lloj kostosh, në një mënyrë apo tjetër e ka dëmtuar imazhin europian të PS që ishte ndërtuar me shumë kujdes për një kohë të gjatë, është dashur shumë punë. Kostoja do të ishte negative për PS. Edhe në rastet se vendimi për ti kaluar do të merrej në momentet e fundit PS nuk do të mund të ndante suksesin, pasi e ka zvarritur këtë cështje përmes lojërave politike, sic ishte edhe kufizimi i imunitetit, pra PS nuk del nga ky proces si bashkautore e suksesit, por nëse do ndodhte dështimi përgjegjësia mbi të do ishte më e madhe. Duhet me urgjencë që PS të kalojë këtë lloj sindromi që e ka shoqëruar që në 2009, duke e lënë të hapur të gjithë betejën e saj për cështjet e saj që i konsideron të karakterit kushtetues dhe parimor, por jo ta lidhë kurrsesi me integrimin. Besoj që në ditët në vijim edhe me ardhjen e Clinton një nga mesazhet e saj do të jetë përshpejtimi i punës për integrimin. Pra të lihet mënjanë konflikti i brendshëm, tentativat për ti përdorur politikisht. Humbja e këtij momenti do krijonte telashe, llogarit këtu zgjedhjet në 2013 apo dhepërparimin e krizës ekonomike në Europë. Statusi nuk është thjesht demagogji, bëhet fjalë dhe për fonde të konsiderueshme, aq më tepër në një moment krize ekonomike si kjo që do të na bënte shumë punë. Sa më shumë bëjmë hapa aq më shumë kushtëzimi bëhet më prezent” deklaroi Islami.Teksa e sheh ish partinë e tij në rolin e “spektatorit”, Islami shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në të, duke iu referuar edhe mbledhjes së fundit të Asamblesë, ku e vlerësoi sjellje fëminore dhe të pakuptimtë nga ana e liderishipit Edi Rama bllokimin e valeve te celularit. Në të tillë situatë, Islami e sheh problemin në demotimivimin e ekipeve të përshkallëzuara në tre radhë, mosfunksionimi brenda partisë për shkak të prishjes së hierarkisë, rrethi i aleatëve dhe së fundmi bashkimi i së majtës.“Që të kishte PS debate sic ka patur më parë është gjë e mirë, e kundërta nuk lë shije. Mbledhja e fundit nuk la shije të mirë, me ndërprerje valësh të telefonave. Edhe arsyetimi për përgjimin e mbledhjes është fëminore, pasi valët me të cilën bllokohen s`kanë lidhje me valët që mund të përgjonte shteti. Nëse po shpalos një platformë dhe se publikon do të thotë se nuk ka një strategji. Nuk mund të ketë një parti që të ketë një dokument kaq sekret, është një veprim i pakuptimtë. Në këtë kuptim, debati i brendshëm që ka arsye më të thella, vjen për shkak të një tensioni që konsiston në tre arsye.Programi nuk është ndonjë risi nga ai i 2009, ka një detajim më të madh, por problemi është i motivimit të ekipeve sipas tre radhëve. Motivimi i brendshëm që nuk është në pozicionin e duhur për shkak të prishjes së hierkarkisë. Rrethi i dytë është ai i aleatëve, Rama i ka vënë në një pozicion shumë të vështirë, nuk i kanë të qarta as detyrat dhe as përfitimet. E treta është bashkimi i së majtës. Duhet një alenacë jo si në 2007” theksoi ai.Për të mbetur tek teoria e famshme “bashkimi bën fuqinë”, Islami e sheh shumë komplekse këtë situatë, nëse do ti referoheshim një bashkimi të së majtës, duke pasur parasysh këtu PS-LSI. Duke iu referuar dy modeleve, atij të 2007 dhe të 2009, për Kastriotin Islamin ky është një paradoks që do të mund të merrte zgjidhje vetëm me nje studim të hollësishëm të gjithë historisë së krisjes së marrëdhënieve mes dy partive, për të bërë të mundur një kurim deri në detaje të kësaj marrëdhënie, pasi në të kundërt sipas tij shanset për të pasur një fitore të përbashkët në zgjedhjet 2013 janë krejt të pamundura.“Nëse bashkimi nuk bëhet sic duhet nuk rezulton teoria se bashkimi bën fuqinë. Nëse PS artikulon në mënyrë demagogjike, pasi me deklaratat e tyre të deritanishme nuk janë racionalë. PS humbi zgjedhjet në 2009 edhe për shkak të keqbërjes së aleancave me pretendimin se ne bëjmë aleancë me qytetarin. Nëse bëhet fjalë edhe për bashkim partish vetëm në rang numerik nuk është cilësore. Në këto kushte për shkak edhe të histories, ka nevojë të ndërtohet një bashkëpunim edhe më i thellë. Duhet të kujtojmë këtu se në ngjarjen e 21 janarit elektorati socialist është thirrur në një demostratë të inspiruar nga një video e Ilir Metës, pas disa muajsh kur Meta kalon kalvarin gjyqësor paraqiten në Gjirin e Lalsit për një darkë pa dhënë asnjë llloj shpjegimi. Në të dyja partitë ka segmente që për shkak të historisë së marrëdhënieve e urrejnë bashkimin mes tyre, cfarë bëri të mos ketë rezultat edhe në 2007. Këto janë mesazhe që vinë për elektoratin e të dyja partive që kanë nevojë të shpjegohen, të qartësohen, të korrigjohet një dëmtim që është bërë me kohë” u shpreh Kastriot Islami.Por përtej analizave, vetë deputeti Islami ku e sheh veten përballë këtij realiteti politik?“Vazhdoj të jap kontributin tim. Disave ju duket si kritikë ndaj Ramës, por s`është e vërtetë, unë tregoj rrugën më të mirë që duhet ndjekur. Në demokraci duhet folur gjithmonë, ska kohë të përcaktuar për ta bërë këtë. Rama ende nuke ka të qartë se cila është qasja më e mirë për të garantuar fitoren e tij në 2013, vazhdon dhe gabon dhe korrigjimin e bën me vonesë” deklaroi në RTV Ora Neës deputeti Kastriot Islami.