Brenda 2015 Italia dëboi 5 kosovarë dhe 3 shqiptarë

Pesë kosovarë, 3 shqiptarë e 2 maqedonas, janë në listën e 65 emigrantëve të dëbuar e të riatdhesuar përgjatë vitit 2015 nga territori i shtetit italian me akuzën e propagandës e aktivitetit të tyre në përkrahje të terrorizmit të Shtetit Islamik ISIS.Ministri i Brendshëm italian Anxhelino Alfano deklaroi se prej 1 janarit të 2015 e deri në fund të vitit janë dëbuar nga territori italian si persona me rrezikshmëri për sigurinë e vendit e përkrahës të propagandës xhihadiste 65 emigrantë. Në konferencën për shtyp të fundvitit mbi punën e kryer nga ministria e tij në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, ai shtoi se 35 prej të dëbuarve ishin me leje qëndrimi të rregullt."Përgjatë 2015 ka deklaruar ministri italian, janë monitoruar 90 luftëtarë të huaj të ISIS, që kanë pasur lidhje me Italinë, 18 prej të cilëve kanë humbur jetën në Siri e Irak. Janë arrestuar 43 persona në kërkim, një prej të cilëve mjaft i rrezikshëm".Sipas medieve italiane, kjo listë shpreh qartë faktin se pas Afrikës së Veriut, Ballkani është fronti i dytë i përhapjes së propagandës së Shtetit Islamik e i rrezikut të terrorizmit xhihadist në Itali. Ajo çfarë preokupon shërbimet sekrete të antiterrorizmit italian është numri i madh i luftëtarëve ballkanikë të Isis që gjatë muajve të fundit janë kthyer në vendlindjen e tyre.Duke iu referuar të dhënave të Policisë së Prishtinës, e përditshmja italiane "La Stampa" shkruan se janë mbi 120 xhihadistë që janë kthyer në Kosovë e që prej vitit 2011 kanë luftuar për Shtetin Islamik në Siri e Irak.Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministri i brendshëm Alfano janë kontrolluar në territorin italian 74177 persona e janë arrestuar 259 me akuzën e përkrahjes së terrorizmit fetar.Falë ligjit të ri të antiterrorizmit të aprovuar më 2015 nga parlamenti italian, është bërë e mundur të bllokohen 6 636 ëebsite të cilat përmbanin propagandë xhihadiste./Oranews.tv.