Veliaj: Do të bëjmë 25 shkolla që të lirohemi nga godinat arsimore me dy turne
Kryeqytetit i nevojiten plot 25 shkolla të reja për ti dhënë fund njëherë e mirë mësimit me dy turne.Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, teksa e parashtroi problematikën para Këshillit të fëmijëve, theksoi se Bashkia me buxhetin e saj nuk mund të ndërtojë më shumë se dy shkolla në një vit.Veliaj: “Që gjithë fëmijët e Tiranës të kenë shkolla, ne na duhet të shtojmë numrin e shkollave. Me lekët që ka Bashkia e Tiranës dhe që ka pasur historikisht, ne mund të bëjmë maksimumi 1 deri në 2 shkolla në vit, ndërkohë që shkollat me dy turne në Tiranë janë rreth 80.Pra, me këtë ritëm, do bëheni ju sa mosha ime, do vini ju kryetarë bashkie dhe prapë s’do jenë bërë shkollat në Tiranë. Kjo ka një shpjegim. Duke qenë se unë nuk e di nëse të gjithë keni lindur në Tiranë ose prindërit tuaj kanë lindur këtu, por si qyteti më i madh është edhe vendi ku kanë ardhur më shumë njerëz nga çdo zonë tjetër e Shqipërisë. Kjo është arsyeja pse numri i popullsisë dhe numri i fëmijëve është rritur shumë më shpejt se numri i shkollave dhe ne duhet të marrim një vendim se si ne të mos bëjmë një apo dy shkolla, por duhet të bëjmë nga 20-25 shkolla, që ne të lirohemi nga godinat arsimore me dy turne.Përkundër pamundësive financiare, zgjidhjen Veliaj e ka gjetur tek paketa fiskale e buxhetit 2016, sipas të cilës taksa e gjelbërimit do shërbeje për ndërtimin e shkollave të reja në kryeqytet.Veliaj: Kjo është arsyeja pse ne u kemi kërkuar të gjithë prindërve tuaj, që pa ndryshuar buxhetin dhe pa ndryshuar taksat, ajo taksë që ishte për gjelbërimin të jetë e njëjta shumë që është, vetëm një kafe në muaj, por të mos jetë për gjelbërimin, por të jetë për shkollat. Jo se nuk e duam gjelbërimin, por kemi gjetur sot edhe mënyra të tjera se si ta shtojmë gjelbërimin, me kompani të ndryshme, me fondet e qeverisë apo me buxhetin e infrastrukturës. Pra, kur bëjmë rrugët, bëjmë edhe gjelbërimin dhe e njëjta shumë parash pa u ndërruar, ne u kërkojmë prindërve të Tiranës që për fëmijët e tyre të na ndihmojnë që ky buxhet, vetëm t’i ndryshojë emërtimi dhe ne ta përdorim për të bërë shumë shkolla vitin tjetër dhe kështu çdo vit. Është e vetmja mënyrë se si ne mund të zgjidhim çështjen e shkollave me dy turne dhe të sigurohemi që në vizatimet e vitit tjetër mund të kemi prapë kërkesa, por jo për shkolla, sepse duhet të fillojmë pak nga pak dhe ta zgjidhim.