Meta i kërkon Gjeorgjisë të rishikojë qëndrimin për njohjen e Kosovës

Kreu i Kuvendit i ka kërkuar Gjeorgjisë të rishikojë qëndrimin e saj për njohjen e Kosovës. Kërkesën ia përcolli Ministres së Mbrojtjes së Gjeorgjisë, Tinatin Khidasheli, e cila gjendet sot për një vizitë në Tiranë.Meta theksoi se si rajoni i Kaukazit ashtu edhe rajoni i Ballkanit kanë nevojë për më tepër siguri dhe më shumë stabilitet, në interes të zhvillimit ekonomik të popujve të tyre.Në këtë drejtim u ra dakord që të përshpejtohet procesi i nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe dhe të intensifikohen përpjekjet për rritjen e fluksit tregtar dhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.Meta rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë, si dhe për aspiratat e saj euro-atlantike, duke theksuar se kjo i shërben paqes, stabilitetit dhe parametrave të sigurisë në rajonin e Kaukazit.Në këtë drejtim, Meta vuri në dukje se mbështetja e Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë do të evidentohet edhe gjatë Asamblesë Parlamentare të NATO-s që do të zhvillohet në Tiranë gjatë pranverës së vitit 2016.Ministrja e Mbrojtjes së Gjeorgjisë, Tinatin Khidasheli shprehu kënaqësinë e vizitës së saj në Tiranë si dhe mirënjohjen për mbështetjen shqiptare në kuadër të aspiratave për integrim të Gjeorgjisë në NATO.