Obama i kundërpërgjigjet Trump-it: SHBA-ja ka lindur nga emigrantët
Presidenti amerikan, Barak Obama i është kundërpërgjigjur kandidatit Republikan Donald Trump rreth çështjes së imigracionit, duke e konsideruar atë si një traditë të vjetër amerikane.“Pjesa më e madhe e vendeve në mbarë globin i pranojnë imigrantët, por ka diçka të veçantë në SHBA, ne nuk presim thjesht imigrantë, ne jemi lindur nga vetë imigrantët, kjo është ajo që ne përfaqësojmë”, tha Shefi i Shtëpisë së Bardhë gjatë një ceremonie në Arkivat Kombëtare në Uashington.“Ne duhet të angazhohemi për të dënuar në mënyrë të vazhdueshme ndjenjën e urrejtjes dhe intolerancës në të gjitha format e saj”, vijoi Obama.Deklaratat e Trump rreth politikave për imigrantët si dhe besimtarët myslimanë kanë marrë kritika të shumta jo vetëm brenda SHBA-ve por në mbarë botën.Kandidatët republikanë për president Donald trump dhe Jeb Bush janë përplasur ashpër në debatin e parë publik televiziv që pas sulmeve të Parisit dhe Kalifornisë.Në qendër të debatit ishin çeshtjet e sigurisë, lufta ndaj Shtetit Islamik dhe emigracioni. Siguria kombëtare vuri përballë në një debat të nxehtë edhe Senatorët Ted Cruz dhe Marco Rubio, të cilët shkëmbyen akuza dhe kundërakuza edhe për politikën e emigracionit.Jeb Bush u përpoq të ringjallë fushatën e tij duke sulmuar fort rivalin e tij Trump, teksa ky i fundit i ngriti barrierat e mbrojtjes që në nisje të debatit, duke argumentuar se propozimi për të ndaluar të gjithë myslimanët nuk ka lidhje me fenë, por thjesht me sigurinë.Pas debatit, në një prononcim për gazetarët, Trump tha se sulmet e Bush vijnë si pasojë e rezultateve të dobëta që ai ka në sondazhe./Oranews.tv/