Rama publikon listën: Shyqyri Çoku nderimet i mori nga Berisha prej marsit ‘95
Kryeministri Rama publikoi sot listën emërore të personave me status veterani të kategorisë së parë të miratuar nga ish-Presidenti Sali Berisha në vitet ’94-95, mes të cilëve figuron edhe emri i persekutorit të At Zef Pllumit.Shefi i qeverisë thotë se Shyqyri Çoku ka gëzuar prej marsit të vitit 1995 një pension të veçantë dhe çdo nderim të bërë nga Ministria e Mbrojtjes.Rama: “Ja prova se në vitet 1994 - 1995, Sali Berisha e futi torturuesin e At Zef Pllumit dhe Sami Repishtit në listën e veteranëve të Kategorisë së Parë. Në bazë të kësaj liste torturuesi në fjalë, të cilin kryeakuzatori kryefalsifikator orvatet ta përdorë për të nxitur urrejtjen e të verbërve që i shkojnë ende pas, ka gëzuar prej marsit të vitit 1995 një pension të veçantë dhe çdo nderim të bërë nga Ministria e Mbrojtjes. E cila, nga ana e vet, nuk ka pasur asnjëherë detyrën të hetojë përbërjen e kësaj liste, ashtu sikundër nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të shtuar ose hequr njeri prej listës”.Sipas Ramës, kjo është edhe arsyeja pse qeveria po përgatit një ndërhyrje në ligjin e vitit 1994 për Statusin e Veteranit, në mënyrë që askush më tej të mos bjerë viktimë e këtij qorrsokaku, të ndërtuar nën kujdesin e veçantë të Sali Berishës si President i Republikës së Shqipërisë.
