Çako kërkon bashkëpunim nga homologët e rajonit për forcimin e kufijve
Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka kërkuar forcimin e bashkëpunimit mes policive të rajonit me qëllim që kufijtë të kthehen në barriera të pakalueshme për aktivitetet kriminale dhe nga ana tjetër në vija të padukshme për lëvizjen e qytetarëve.Deklaratën Çako e bëri në forumin e Romës më 15 dhjetor, ku morën pjesë të gjithë Drejtorët e Policive të Ballkanit.Gjatë ketij forumi u trajtuan tema si, Emigracioni i Parregullt, Terrorizmi, Krimet e natyrës grabitqare dhe Reinvestimet e kapitaleve me prejardhje nga krimi i organizuar.Çako paraqiti situatën në lidhje me këto katër tema duke nxjerrë në pah arritjet e Policisë së Shtetit edhe në sajë të bashkëpunimit të shkëlqyer me partnerët ndërkombëtarë.Çako: “E vlerësoj maksimalisht këtë konferencë për vetë faktin se për objekt diskutimi ka katër tematika që tashmë kanë zënë prioritetet tona në luftën kundër krimit. Migracioni i paligjshëm, Terrorizmi, Pastrimi i Parave dhe i Produkteve të Parave të pista dhe Krimet e natyrës grabitqare. I pari si fenomen shqetësues dhe përveç faktit që shpesh herë është eksportues i fenomeneve kriminale, e i dyti si një fenomen që çdo ditë e më shumë përpiqet të minojë vlerat më të mira të demokracisë në vendet tona dhe dy të tjerët si fenomene kriminale që organizatat tona janë në përballje të përhershme”.Në përfundim të fjalës së tij, Çako i ftoi kolegët që të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet policive të rajonit me qëllim që kufijtë t’i kthejnë në barriera të pakalueshme për aktivitetet kriminale dhe nga ana tjetër t’i kthejmë ato në vija të padukshme për lëvizjen e qytetareve tanë.Forumi i Romës është një nismë e Policisë Italiane me Europolin dhe takimi i parë është zhvilluar në shtator 2013 në Beograd, ndërkohë që takimi i dytë është zhvilluar në shtator 2014 në Hagë, pranë selisë së Europolit.Gjatë ditës së sotme, Çako do zhvillojë disa takime me homologët e tij .